Kryeministri: Aleanca e Kosovës me NATO-në, e përjetshme

17:44 | 18 Tetor 2018
M. A.

Të përjetshme aleancën mes Kosovës dhe NATO-së e ka cilësuar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Këto deklarata ai i ka bërë gjatë ushtrimit “Shpata e Argjendtë 18-2”.

Haradinaj është zotuar që Kosova do të vazhdojë që me përkushtim të vazhdojë njohuritë dhe ekspertizën e trashëguar nga miqtë ndërkombëtarë.

“Ndjenjë e jashtëzakonshme të jesh dëshmitar i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të koordinuar ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, NALT-it dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare në vendin tonë, që janë treguesi më i mirë se qytetarët e Kosovës janë të sigurt dhe të mbrojtur përballë çfarëdo sfide. Sot kisha kënaqësinë e veçantë të jem i pranishëm gjatë ushtrimit “Shpata e Argjendtë 18-2”, me ç’rast falënderova komandatin e KFOR-it, gjeneralin Cuocci, për angazhimin dhe punën e tij të suksesshme në udhëheqjen e këtij misioni. Kosova do t’i vazhdojë me përkushtim njohuritë dhe ekspertizen që ka trashëguar nga miqtë e saj në garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e paqes. Aleanca e Kosovës me NATO-n është e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Shpërndaje në rrjete sociale