Krasniqi: Të ndihmohet urgjentisht gastronomia

14:12 | 23 Korrik 2020
M. A.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të veproj dhe të ndihmojnë gastronomët e Kosovës në këtë kohë pandemie.

Krasniqi tha në seancën e sotme plenare se gastronomia është njëri ndër sektorët më vital të vendit ku punësohen me mijëra punëtorë.Ai kërkoi nga Qeveria që menjëherë sektorit të gastronomisë t’ua japë nga 170 eurot e premtuara, t’ua mbulojnë qiratë e lokaleve për 50 për qind dhe t’ua shtyj pagesat e kredive.

“Pa hy me vlerësua se a ka qenë e drejtë apo sa ka qenë e drejtë çështja e ndalesës nga ora 21:00 e tutje unë kam parë që edhe gastronomët e kanë shprehur mirëkuptimin e tyre për këtë çështje, por në momentin që ne si shtet, në këtë rast Qeveria e cenon një të drejtë të dikujt, atëherë duhet me pas edhe një masë të lehtësimit apo të kompensimit të asaj çështje, do të thotë ne sot i kemi sjellë para falimentimit të gjithë gastronomët e Kosovës. Edhe një muaj unë nuk besoj që shumica e tyre munden të mbijetojnë. Në anën tjetër, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i ndihmuar ata”, tha Krasnqi.

Ai tha se derisa Qeveria ka kufizuar orarin e punës, minimum i korrektësisë do të ishte që të gjejnë forma të ndihmesës së gastronomëve pasi siç tha Krasniqi, gastronomia është ndër sektorët më vital të vendit.

“Është në rregull nëse ju i limitoni në veprimtari por do të ishte minimumi i korrektësisë për të ruajtur një nga sektorët më vital në të gjithë Kosovën. Sepse janë me mijëra e me mijëra kompani të vogla që funksionojnë në këtë fushë që së paku të ja paguajnë 170 euro për punetorët e tyre dhe së paku 50% të qirasë. Dhe normalisht t’i ndihmoni në shtyrjen e pagesës së kredive sepse të gjithë apo shumica janë në kredi. Ju e keni parë që të hënën do të ketë edhe protesta prej tyre. Unë besoj që kjo protestë vjen normal si pasojë e mungesës së kujdesit që e keni ndaj tyre. I ftoj Kryeministrin dhe Ministren e Financave që së paku këto që i propozova t’i merrni parasysh dhe t’i ndihmoni sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ndryshe, janë të rrezikuar jashtëzakonisht shumë”, tha Krasniqi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale