Në Konventën e Përgjithshme të Partisë Demokratike e Kosovës, të njëmbëdhjetën me radhë, Memli Krasniqi është rizgjedhur kryetar i PDK-së.
Krasniqi ka falënderuar delegatët e pranishëm për besimin e dhënë, për të vazhduar së bashku punët e mira për Kosovën.
“Faleminderit shumë, për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit që nderin dhe përgjegjësinë më të madhe jetësore ma dhatë edhe sot sepse kur jam bashkuar për herën e parë në PDK në pranverën e vitit 2004 nuk e kam ëndërruar e as nuk e kam pasur ambicie të jem kryetar i partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”, tha lideri i PDK-së.
Ai u zotua se do të angazhohet për ta rikthyer PDK-në si partinë e parë në vend.
Gjithashtu, Krasniqi tha se PDK vazhdon t’i thotë jo çdo ideje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila e solli Kosovën në gjendje regresi dhe stagnimi.
“Kemi qenë të vendosur që të ndryshojmë kahjen e gabuar në të cilën e ka futur vendin Qeveria në ikje, përmes krijimit të Qeverisë së re me partitë e opozitës së kaluar, me Bedri Hamzën Kryeministër. Por, po aq me vendosmëri, e themi edhe sot: nuk do të votojmë asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, sepse besojmë që Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa. Ne nuk jemi këtu për të ndihmuar riciklimin e kapitullit më të dështuar politik të shtetit tonë. Ne jemi këtu për të shkruar një kapitull të ri”, shtoi Krasniqi.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza tha se PDK duhet të kthehet në pushtet për ta zhvilluar Kosovën.
“A e dini pse nxorëm rezultat më të mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit? Sepse, ne e depolarizuam shoqërinë kur të tjerët provuan ta përçanin. Ne i bashkuam qytetarët rreth programit tonë. Në vend të retorikave boshe, ne ofruam program, zgjidhje, paga e mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe transformim ekonomik për shtetin tonë. I lamë anash dallimet e vogla për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe interesit të përgjithshëm. Këtë po e bëjmë edhe sot në këtë konventë me vazhdimin e besimit për kryetarin Memli Krasniqi dhe për strukturat e reja të partisë. Këtë duhet ta bëjmë edhe më 12 tetor në çdo komunë të Kosovës dhe kurdo që në pyetje është interesi i qytetarëve dhe i shtetit tonë”, theksoi ai.
Në këtë Konventë, PDK ka miratuar Deklaratën Politike prej 15 pikave, ku riafirmon përkushtimin për ta udhëhequr Kosovën drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, forcimit të demokracisë dhe integrimit të plotë euro-atlantik. /Arbresh.info
Imzot Arjan Dodaj: Të ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo...
Një i vdekur dhe 10 të plagosur nga një sulm rus
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
“Mallkimi” i Krishtlindjeve – A do të arri...
Gmail po ndryshon rregullat? Adresa juaj e email-it mund të ...
Dehidratimi në dimër mund të ketë pasoja serioze: Ja sa ujë ...