KQZ publikon rezultatet për deputetë – Këto janë votat që morën kandidatët e VV-së deri me tani

13:01 | 20 Shkurt 2025
E.K

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka marrë numrin më të madh të votave nga lista e VV-së, me gjithsej 259,532 vota. Pas tij, në vendin e dytë si më i votuari nga lista e LVV-së ka dalë Glauk Konjufca, me 199,136 vota, ndërsa në vendin e tretë është Faton Peci, me 96,849 vota.

Në dhjetëshen më të votuar të LVV-së hyjnë gjithashtu: Hekuran Murati me 94,531 vota; Albulena Haxhiu me 89,601 vota; Xhelal Sveçla me 85,632 vota; Donika Gërvalla me 79,691 vota; Mimoza Kusari me 61,945 vota; Arben Vitia me 48,760 vota; dhe Shqipe Mehmeti Selimi me 38,614 vota.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke mos përfshirë ende votat e diasporës dhe ato me kusht, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.