KQZ mban mbledhjen e radhës, merren disa vendime për organizimin e zgjedhjeve në veri

18:51 | 8 Dhjetor 2022

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës ku mori disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave dhe të zgjedhjeve të parakohshme të 25 dhjetorit për dy kuvendet komunale.

Në këtë mbledhje u njoftua lidhur me ecurinë e përgatitjes së procesit zgjedhor në këto komuna.

Gjithashtu u bë e ditur se anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, që përbëhen nga përfaqësues të partive politike, kanë deklaruar se nuk do të mundet të kryejnë detyrën e tyre për shkak të rrethanave që ndërlidhen me aspekte të sigurisë.

Antëarët e KQZ-së kërkuan që të shikohet mundësia e zëvendësimit të tyre.

• Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022.

Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021.

Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit megjithsej 74 vendvotime.

• Bazuar në listën përfundimtare të votuesve, numri i votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në këto katër komuna është 44,939, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,900 fletëvotime, pra 4,039 apo 9.87% fletëvotime më pak se votues.

KQZ-ja caktoi edhe numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje do të shtypen 18,500 fletëvotime, pra 1,771 apo 9.5% fletëvotime më pak se votues.

Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

• KQZ-ja miratoi përbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore, të 18 dhe 25 dhjetorit 2022.

• KQZ-ja mori vendim për miratimin e listës së qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor.

Për zgjedhjet e datës 18 dhjetor, KQZ-ja miratoi listën me 44 qendra të votimit, ndërsa për zgjedhjet e datës 25 dhjetor, u miratua lista me 25 qendra të votimit.

• KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit operacional të KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut si dhe për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq dhe Zveçan.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se plani operacional i KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve; lista e qendrave të votimit dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve, thuhet në komunikatën për media./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale