Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka filluar programin orientues të trajnimit për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit nga KQZ, të martën, seanca e parë e trajnimit u zhvillua me rreth 60 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve nga komunat Prishtinë, Podujevë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Obiliq, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Graçanicë.
“Zhvillimi i këtij programi, i cili aplikohet në çdo proces zgjedhor, ka për qëllim informimin dhe njoftimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Gjithashtu, zhvillimi i këtij programi trajnues synon arritjen e disa objektivave, disa prej të cilave janë: ofrimi i njohurive për anëtarët e KKZ-ve për ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në vitin 2023 të cilat do të ndikojnë në punën e tyre gjatë mandatit për organizimin e Zgjedhjeve Lokale 2025; Pajisja me njohuri të hollësishme dhe të detajuara lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë në menaxhimin e operacioneve zgjedhore në komunat ku do të veprojnë; Informacione për aktivitetet që lidhen me trajnimin, votimin dhe numërimin në Vendvotime, si dhe për procesin e numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përfshirë përdorimin e platformës digjitale për futjen e të dhënave.
“Gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, anëtarët e KKZ-ve gëzojnë një sërë të drejtash dhe kanë përgjegjësi të qarta që lidhen me menaxhimin e operacioneve të ndryshme zgjedhore në komunat përkatëse. Në ditët në vazhdim, programet e trajnimit do të mbahen edhe për anëtarë të tjerë nga Komisionit Komunale të Zgjedhjeve nga komuna të ndryshme të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Në muajin qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar rreth 220 anëtarë të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve. Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor. Mandati i anëtarëve të KKZ-ve fillon pas emërimit të tyre nga KQZ dhe përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.
Rusia sulmon Ukrainën me dronë dhe raketa, dëmtohet infrastr...
21 vjeçari ndalohet me lëndë narkotike në Kaçanik
Komandanti i KFOR’it mbledh përfaqësuesit diplomatikë të QUI...
Ikona e muzikës shqiptare, Ilir Shaqiri feston ditëlindjen e...
Tri ndeshje të forta sot në Superligën e Kosovës
Tre të mitur raportohen të zhdukur