Këshilli Prokurorial i Kosovës zhvilloi sot takimin e tij të parë për vitin 2026, por nuk pati vendimmarrje. Kjo pasi asnjëri nga dy propozimet e parashtruara nuk arriti të kalojë me votat e nevojshme.
Sipas njoftimit të KPK-së, takimi kishte karakter konstituiv dhe funksionalizues për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së, me dy pika të rendit të ditës për shqyrtimin dhe miratimin e Rregullores për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe vendimit për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për Kryesues dhe Zëvendëskryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Gjatë zhvillimit të këtij takimi, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, në cilësinë e kryesuesit të mbledhjes, hodhi paraprakisht në votim propozimin e anëtarit të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, që si pikë e parë e rendit të ditës të përfshihej certifikimi i rezultatit të procesit zgjedhor për anëtarin e Këshillit nga radhët e prokurorive themelore. Ky propozim mori tre vota për dhe dy vota kundër. Në vijim, u hodh në votim edhe propozimi për miratimin e rendit të ditës, ashtu siç ishte paraparë në agjendën e propozuar për këtë takim. Edhe ky propozim nuk u miratua nga anëtarët e KPK-së, duke marrë dy vota për dhe tri vota kundër”, thuhet në njoftim.
Meqenëse nuk u sigurua shumica sipas ligjit, Qalaj e shpalli të përfunduar takimin e sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke theksuar se anëtarët e KPK-së dhe publiku do të njoftohen me kohë për mbajtjen e takimit të radhës.
Britania e Madhe i ndalon hyrjen influencueses që dogji Kura...
“Synojmë turistët që konsumojnë shumë”, Rama kritika për tre...
Irani do të vendosë “si të vazhdojë” ndërsa afat...
Ngjarje e rëndë në Mushtisht të Suharekës: Vdes 48-vjeçari, ...
E papritur, jep dorëheqje shefi i Apple, kompania zyrtarizon...
Alergjitë ushqimore: Mbi 90 për qind e reaksioneve lidhen me...