Google ADS

Kosova rikonfirmon qëndrimin për padi ndaj Serbisë

10:49 | 27 Shkurt 2015
Arbresh Info

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka rikonfirmuar qëndrimin se Kosova do të ngritë padi për gjenocid ndaj Serbisë në momentin kur të krijohen rrethanat e përshtatshme legale për Kosovën.

“Kosova është duke paguar çmim. Ndërsa, në anën tjetër e rikonfirmoj edhe sot Kosova do të ngritë padi për gjenocid, ndaj Serbisë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë sepse dhuna dhe spastrimi etnik ka qenë e dirigjuar drejtpërdrejtë nga shteti i Serbisë, në Kosovë. Se kur do të ndodhë kjo, do të gjejmë momentin më të përshtatshëm e kjo çështje e ushtrimit të gjenocidit në Kosovë nuk vjetërsohet. Prandaj në momentin që krijohen rrethanat e përshtatshme legale për Kosovën si shtet ne do ta ngrisim këtë çështje, me rëndësi është që kemi filluar mënyrën më serioze të përgatitjes për këtë çështje”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Këto komente ai i ka bërë pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria Dimitri Bushati në të cilin takim thonë se është rikonfirmuar mbështetja në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës dhe përveç kësaj është diskutuar edhe për takimin e dy qeverive më 23 mars në Tiranë.

Dimitri Bushati në konferencë të përbashkët për medie është shprehur se integriteti territorial dhe sovraniteti nuk mund të vinë në pikëpyetje nga askush dhe sa i përket Tribunalit Special, Bushati thotë se në asnjë lloj rrethane nuk duhet të ngatërrohet lufta e drejtë çlirimtare e Kosovës me ngritjen e Tribunalit.

Ai inkurajon Kosovën në ecjen përpara drejt Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimit të vizave duke kërkuar edhe nga ana e Bashkimit Evropian për të dëshmuar angazhim në këto procese.

Në takimin e përbashkët është diskutuar edhe për projekte rajonale dhe për vizitën e kryeministrit Isa Mustafa që do të zhvillojë në fillim të muajit mars në Shqipëri.

Bushati ka takuar edhe kryeministrin e vendit Isa Mustafa. /Kosova Press/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme