Kosova është përfshirë në listën e parë të vendeve të sigurta të origjinës, të miratuar sot nga negociatorët e Bashkimit Evropian, në kuadër të një marrëveshjeje që synon përshpejtimin e procedurave për trajtimin dhe deportimin e azilkërkuesve të refuzuar, njofton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Sipas kompromisit të arritur mes qeverive të BE-së dhe Parlamentit Evropian, në këtë listë do të përfshihen gjithashtu Maroku, Tunizia, Egjipti, Kolumbia, India dhe Bangladeshi. Vendosja e Kosovës në këtë listë nënkupton se kërkesat për azil nga shtetasit e saj do të shqyrtohen sipas një procedure të përshpejtuar, por jo automatike, pasi çdo rast do të vlerësohet individualisht.
Po ashtu, si parim i përgjithshëm, vendet kandidate për anëtarësim në BE do të konsiderohen vende të sigurta të origjinës, çka mund të përfshijë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Turqinë. Megjithatë, përjashtime mund të aplikohen në raste të veçanta, si vendosja e sanksioneve nga BE-ja apo shpërthimi i konflikteve të armatosura në ndonjë shtet.
Parlamenti Evropian ka bërë të ditur se lista mund të zgjerohet edhe në të ardhmen, ndërsa Komisioni Evropian do të jetë përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të situatës në vendet e përfshira. Nëse rrethanat ndryshojnë, Komisioni ka të drejtë të pezullojë përkohësisht statusin e një vendi si të sigurt.
Lista e përbashkët e BE-së do të jetë ligjërisht e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare, ndonëse aplikimet për azil do të vazhdojnë të trajtohen rast pas rasti. Aplikantët nga vendet e listuara nuk do të deportohen automatikisht, por do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara.
Ndërkohë, Gjermania tashmë ka një listë kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës. Nga lista e re e BE-së, vetëm Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht të klasifikuara si të sigurta sipas legjislacionit gjerman.
Marrëveshja e arritur sot ende kërkon miratimin formal nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, një hap që zakonisht konsiderohet procedural pas arritjes së kompromisit mes negociatorëve.
Për Kosovën, përfshirja në listën e BE-së të vendeve të sigurta të origjinës nënkupton se kërkesat për azil të shtetasve të Kosovës në vendet e BE-së do të trajtohen me procedurë të përshpejtuar. Duke qenë se Kosova konsiderohet vend i sigurt, shumica e kërkesave për azil pritet të refuzohen, përveç rasteve të veçanta individuale. Ky vendim njëherësh shihet tregon se BE-ja e konsideron Kosovën vend relativisht stabil dhe të sigurt.
Më 22 dhjetor mbahet seanca e Supremes për rastin ndaj Darda...
Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunit...
Kurti: Masat ishin të padrejta që nga fillimi – të përkushtu...
Asociacioni – edhe pengesë, edhe urë drejt BE-së
OEK: Aktgjykimi i Supremes nuk guxon të interpretohet në mën...
Mjegull në Sarajevë, anulohen fluturimet e këshillohet të që...