Këto të dhëna janë pasqyruar në raportin vjetor të auditimit për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015. Ky raport përmbledhës ka ardhur pas 98 auditimive që u janë bërë institucioneve të ndryshme të Kosovës. Pra, ky raport reflekton rezultatet e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Organizatave Buxhetore individuale.
Sipas këtij raporti, shihet që planifikimi i huas së brendshme ka qenë në vlerë prej 120,000,000 euro derisa ishin realizuar 121,262,000 euro. “Qëllimi i huamarrjes së brendshme ishte financimi i deficitit buxhetor, si dhe rritja e bilancit bankar. Gjatë vitit 2015, bilanci bankar është rritur për 93,037,000 euro duke arritur në 256,539,000 euro”.
Ndërkaq, qëllimi i huamarrjes së jashtme, sipas të dhënave të auditorit, ishte financimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, shëndetësisë, energjisë, si dhe trajtimit të ujërave. Vlera totale e planifikuar ka qenë 107,000,000 euro, derisa ishin realizuar 45,000,000 euro. Kjo i bije vetëm ose 42 për qind të vlerës se planifikuar. “Nga vlera totale e pranuar prej 45,000,000 euro ishin shpenzuar 6,750,000 euro ose 15 për qind”, thotë raporti.
“Marrja e huave nën nivelin e planifikuar si dhe realizimi i ulët i huave të pranuara ishte pasojë e ngecjeve në implementimin e marrëveshjes nga palët e ndërlidhura për projekte të caktuara”.
Sipas të gjeturave të auditorit, Qeveria kishte planifikuar që kah fundi i vitit 2015 të merr një hua nga FMN prej 35,000,000 eurove, por që, marrja e huas ishte kushtëzuar me aprovimin e buxhetit nga Kuvendi për vitin 2016 me kohë (deri më 31 dhjetor 2015). Mirëpo për shkak të zhvillimeve politike në Kuvend, buxheti për 2016 është aprovuar në fillim të vitit 2016. “Kjo ka ndikuar që huaja të merret në fillim të vitit 2016 dhe jo siç ka qenë e planifikuar në 2015”.
Projektet për financim nga huamarrja e jashtme por të parealizuara me kohë kanë të bëjnë me: ndërtimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë dhe rehabilitimin e linjës së hekurudhës Hani i Melezit – Leshka në vlerë prej 30,100,000 euro; dhe financimin e projekteve në shëndetësi në vlerë prej 5,050,000 euro.
“Projekti “ Shëndetësia Kosovare” në vlerë prej 2,450,000 euro ishte planifikuar të financohet nga Banka Botërore (BB). Sidoqoftë, implementimi i këtij projekti ka filluar në muajin shtator 2015 dhe deri në fund të vitit ishin realizuar 57,000 euro. Arsyet për implementim të ulët ishin: zhvillimet politike gjashtë mujore gjatë vitit 2014; pezullimi i aktiviteteve të projektit nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe vonesat në zhvillimin e procedurave të prokurimit”, ka vërejtur auditori.
Ndërsa pjesa tjetër prej 2,600,000 euro ishte planifikuar nga Qeveria e Republikës së Austrisë për projektin e kardiokirurgjisë. Implementimi i këtij projekti kishte ngecur për shkak të procedurave për ratifikimin e projektit nga Kuvendi.
Në këtë raport përmbledhës, të gjeturat relevante janë të theksuara së bashku me mekanizmat për të përmirësuar pajtueshmërinë me standardet e kontabilitetit. Sipas auditorit, objektiva e auditimit ka qenë të vlerësojmë nëse këto pasqyra financiare paraqesin, në të gjitha aspektet materiale, një pamje të drejtë dhe të vërtetë të gjendjes financiare për periudhën e auditimit; dhe nëse janë ndërmarr masat e duhura nga Qeveria për implementimin e rekomandimeve të AP-së për vitin 2014 dhe vitet e mëhershme.
Aksident trafiku në Prishtinë, përfundojnë në përleshje pesë...
Po vjen Xbox i ri
Qeveritë evropiane mbeten prapa në përdorimin e Al, tregon s...
A e dini se kur duhet të zëvendësoni peshqirët tuaj?
A keni mungesë apo tepricë hekuri? Ky test e tregon saktë
I doli emri 700 herë në dosjet e Epsteinit, Franca nis hetim...