Kosova e mirëpriti propozimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e regjimit të Bashkimit Evropian “Roam Like at Home” apo “Roaming si në shtëpi”.
Në një përgjigje për Televizionin Dukagjini, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP, tha se janë të gatshëm të kontribuojnë në negociatat për arritjen e marrëveshjes me BE-në.
“Mund të konfirmojmë se vendi ynë ka ndërmarrë përgatitjet teknike dhe ligjore për të adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e RLAH në mes Republikës së Kosovës dhe vendeve të BE-së. Aktualisht, ligji i ri për komunikimet elektronike është në fazën e finalizimit, në të cilin janë përfshirë dispozitat e EU roaming acquis, duke garantuar përputhshmërinë me standardet evropiane”.
Por, ka ende punë brenda institucioneve të BE-së para se të nisin negociatat, veç e veç, me secilin shtet.
Fillimisht, propozimi i Komisionit duhet të miratohet nga Këshilli.
Tek pas kësaj mund nisin bisedimet bilaterale për marrëveshjen, që pritet të ulë koston e komunikimit telefonik për qytetarët dhe bizneset në të dyja anët, BE dhe shtetet përkatëse të Ballkanit Perëndimor.
Pasi tha se jetësimi i marrëveshjes do të ishte lehtësim për qytetarët, ish-kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, shtoi se propozimi i Komisionit Evropian është vazhdimësi e veprimeve që ky institucion i BE-së ka ndërmarrë që nga viti 2016.
“Ky hap është i mirëseardhur, por është si rrjedhojë logjike e disa veprimeve që kanë ndodhur në 10 vitet e fundit, ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosova është pranuar si anëtare në organizatën e Agjencive të Rregullimit të Komunikimeve Elektronike, e quajtur BEREC. Dhe, me atë rast janë paraparë disa hapa deri në një udhërrëfyes për heqjen e plotë të roamingut në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Gashi.
Duke u shprehur optimist se procesi do të shkojë pa probleme burokratike e teknike, Gashi tregoi disa prej veprimeve që Kosova duhet të ndërmarrë.
“Kosova duhet të nxjerrë disa rregullore, të i nxjerrë Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike. Besoj që duke qenë se Autoriteti është tashmë anëtar i BEREC-ut, organit evropian për komunikime elektronike, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që ky proces të shkojë sa më lehtë dhe të implementohen këto masa ndaj operatorëve, të cilët duhet t’i zbatojnë dhe të lidhin marrëveshje me secilin prej operatorëve të Bashkimit Evropian”, ka shtuar Gashi.
Propozimi i Komisionit Evropian për Këshillin, kërkon hapjen e negociatave dypalëshe me Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Temperatura pranverore nesër në Kosovë, deri në 16 gradë
Melania Trump do të drejtojë mbledhjen e Këshillit të Siguri...
Mbi 19 mijë qytetarë nënshkruajnë Peticionin Kombëtar të ini...
Elijona zbulon frikën që e kishte përballë Benitës
Haradinaj e mohon se ka probleme shëndetësore: E kaloj edhe ...
Zyrtare: Martin Demichelis, trajner i Vedat Muriqit te Mallo...