Kosova forcon masat e sigurisë në pikëkalimet kufitare

22:12 | 22 Shkurt 2026
E.G

Gjatë vitit 2025, në pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës është vërejtur rritje e dukshme e aktivitetit policor dhe e rezultateve në parandalimin dhe luftimin e veprave penale.

Numri i përgjithshëm i rasteve të trajtuara ka shënuar rritje prej 38% krahasuar me 2024, ndërsa kundërvajtjet janë rritur për 86%, duke reflektuar intensifikimin e kontrolleve dhe masave të shtuara të sigurisë në kufi.

Madje në kuadër të këtyre shifrave të policisë, të veprave penale që lidhen me sigurinë në brezin kufitar dhe krimet ndërkufitare në vitin 2025 janë arrestuar 633.

Të fundit që u arrestuan ishin katër shtetas të huaj në Drenas të cilit dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin.

Bëhet fjale për dy shtetas bjellorus, një rus dhe një person me nënshtetësi shqiptare që kishte qenë me ta.

Në këtë kontekst, njohës të çështjeve të sigurisë thonë se rreziku është permanent nga lufta hibride, duke marrë për bazë propagandën, por edhe sistemin e spiunazhit ruso-serb.

“Serbia, si përçues i interesave gjeostrategjike ruse në Ballkan, nuk pushon dhe në vazhdimësi do të kemi implikime të tilla. Mirëpo vetë ky rast tregon se Kosova tash “Qeveria” duhet të bëjë trysni në faktorin ndërkombëtar, sidomos që integrimet tona euroatlantike të jenë më të përshpejtuara, për shkak të vetë kërcënimeve dhe rreziqeve të mundshme të situatës që mbretëron në këtë pjesë të rajonit të Evropës”, ka thënë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Edhe njohës të tjetër të sigurisë thonë se raste të tilla paraqesin alarm për autoritet e sigurisë e në veçanti në pikë-kalimet kufitare, prandaj kërkojnë vigjilencë nga autoritetet e sigurisë.

“Këto kalime ilegale duhet të trajtojmë në një aspekt tjetër sidomos të spiunazhit apo aktivitete qe lidhen me veprime te dyshimta te krimit te organizuar, terrorizmit dhe spiunazhit ngase personat te cilët tentojnë t’i shmangen kontrolleve kufitare kane qëllime jo te mira dhe mund te jene te përfshirë ne veprime te ndryshme përfshirë edhe ato veprat e renda siç janë te spiunazhit”, ka thënë Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Njohësit e sigurisë theksojnë se në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, vigjilenca dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten thelbësorë./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme