Kosova e Shqipëria intensifikojnë bashkëpunimin në fushën hapësinore

18:57 | 17 Shtator 2015
M. A.

 

Më 13 tetor do të ketë një takim mes ministrit të mjedisit të Kosovës Ferid Agani dhe ministres së Zhvillimit Urban të Shqipërisë Eglantina Gjermeni, për të biseduar më hollësisht për projektet që do të zhvillojnë veriun e Shqipërisë dhe zonën përreth kufirit me Kosovën, gjegjësisht me malësinë e Gjakovës.

Për këtë sot u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të komunës së Gjakovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban të Shqipërisë.

Me këta rast këshilltarja politike e ministrit Agani, Ilirjana Perteshoni tha se ky takim shërben për ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e planifikimit hapësinor në të dy vendet.

 

“Ky është takim i filluar nga takimi i dy ministrave në fillim të vitit në të cilin me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, mes Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Planifikimit Urban, si mundësi e mirë për fuqizimin e planifikimit hapësinor në të dy vendet. Vazhdës së takimeve të mëhershme të cilat i kemi mbajtur mes grupeve punuese, të Kosovës dhe Shqipërisë, nga punimet ka dal si nevojë e mbajtjes së këtij takimi mes binomeve të qyteteve Gjakovë-Tropojë dhe Prizren-Kukës në të cilën shikohet mundësia e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, kulturor në të mriz të funksionimit të vetë banorëve të gjithmbarshëm”, tha ajo.

Drejtori i zhvillimit të territorit në Ministrinë e Zhvillimit Urban të Shqipërisë Nertil Jole tha se janë duke punuar intensivisht për realizimin e projekteve të përbashkëta që do të mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe qasjen me të lehtë të banorëve të komunës së Gjakovës, Kukësit dhe Hasit.

 

“Ne kemi ideuar disa projekte të cilat nuk është se janë risi sepse janë diskutuar edhe shumë herë të tjera. Po synojmë që të kemi një bashkëpunim me efikas ndërmjet dy ministrive dhe konkretisht komunave të Gjakovës dhe bashkive të Kukësit dhe të Hasit. Kjo duke krijuar premisa për një ndërlidhje me të mirë të qarkullimit të njerëzve për këto dy zona, për një komunikim me të mirë ekonomik dhe për të përmirësuar sadopak jetën dhe qasjen e këtyre komuniteteve. Besojmë se disa nga projektet mund të marrin një formë jetësimi në të ardhmen”, tha Jole.

Në kët ë tryezë diskutimi u dhanë shumë mendime, por mbi të gjitha u kërkua që idetë të konkretizohen dhe të dilet me kosto konkrete të projekteve.

Shpërndaje në rrjete sociale