Kosova dhe Shqipëria, të përkushtuara për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik

14:55 | 4 Shtator 2018
M. A.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, ku diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes iniciativave konkrete.

Rukiqi u shpreh i gatshëm për të vazhduar komunikimin që është shumë i rëndësishëm duke e ditur që Kosova dhe Shqipëria janë shtete që kanë interes primar të vazhdojnë bashkëpunimin ekonomik, atë tregtar dhe mundësitë për investime të përbashkëta në sektorin privat.

Gjatë takimit, Minxhozi dhe Rukiqi u dakorduan për disa iniciativa të cilat mundësojnë rritjen e komunikimit mes dy komuniteteve të biznesit për të cilat duhet edhe vula e vendimmarrjes së dy qeverive përkatëse në kuptim të dhënies së përkrahjes dhe eliminimit të barrierave.

Në anën tjetër, Ambasadori Minxhozi tregoi se shifrat e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri për këtë vit janë inkurajuese dhe ka rritje të shkëmbimeve tregtare. “Kjo tregon se potencialet e Kosovës për të eksportuar në pjesën tjetër të kombit janë shumë të mëdha”, shtoi Ambasadori.

Mes tjerash u theksua rëndësia e rritjes së efikasitetit të punës dhe bashkëpunimit për të hequr barrierat tregtare përmes propozimeve konkrete nga bizneset. Përkushtimi më i madh në këtë drejtim dhe ndryshimet e duhura në legjislacion mund të japin rezultat shumë pozitiv për bizneset e të dyja vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale