Kosova dhe Iowa drejt zgjerimit të bashkëpunimit institucional dhe lokal

16:56 | 22 Shkurt 2026
E.G

Gjatë një vizite zyrtare në Shtetin e Iowa-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar një sërë takimesh me udhëheqës të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të pushtetit lokal, me fokus thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s.

Në takimin me Presidenten e Senatit të Iowa-s, Amy Sinclair, u rikonfirmua partneriteti i gjatë dhe i qëndrueshëm mes dy vendeve. Gjatë bisedës u theksua bashkëpunimi strategjik në fushën e sigurisë, si dhe nevoja për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, akademike dhe në sektorin e teknologjisë informative.

Zëvendësministri Ahmeti u takua edhe me zëvendës sekretaren e Shtetit të Iowa-s, Christy Johnson, me të cilën diskutoi për avancimin e bashkëpunimit institucional dhe forcimin e mekanizmave konkretë të koordinimit ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve. Në këtë takim u vu theksi te shkëmbimi i përvojave në administratën publike, bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.

Ndërkaq, në takimin me Kryetaren e Komunës së Johnston, Paula Dierenfeld, u diskutua dimensioni lokal i partneritetit. U vlerësua fakti që aktualisht nëntë komuna nga Kosova janë të binjakëzuara me komuna në Iowa, si dëshmi e lidhjeve të fuqishme ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve. Palët shprehën gatishmëri për zgjerimin e këtij bashkëpunimi përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore dhe shkëmbimeve profesionale.

Në kuadër të vizitës, zëvendësministri Ahmeti zhvilloi takime edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Iowa. U theksua roli i tyre si urë lidhëse mes dy vendeve, si dhe kontributi i vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike, akademike dhe kulturore dhe në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme