Kontestet pronësore shkaktojnë vrasje të shumta në Kosovë

11:17 | 14 Qershor 2015
M. A.

Kontestet e pazgjidhura pronësore shpeshherë janë bërë shkak tek konfliktet në mes të qytetareve, e ndonjëherë edhe kanë përfunduar me vrasje.

Nëpër gjykatat e vendit janë një numër i madh i lëndëve, të cilat nuk po arrijnë të zgjidhen, e të cilat po dërgojnë deri tek marrja e drejtësisë në duart e tyre nga vetë qytetarët. Madje, nëpër gjykatat e Kosovës ka lëndë me konteste pronësore që nuk po zgjidhen tash e 15 vjet, raporton KosovaPress.

Se është burim i vrasjeve mos zgjidhja e kontesteve pronësore, e pranojnë edhe vet udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Muaj me parë pas një mosmarrëveshje për një kontest pronësor në Pejë, një person kishte tentuar ta vriste një person tjetër. Derisa, edhe vrasja e policit Shemsi Gashi i ndodhur në muajin mars të këtij viti, dyshohet se ka ndodhur për shkak të një kontesti pronësor që ka pasur më herët me disa të afërm të tij në Prishtinë.

Tash e 15 vjet nëpër gjykata vazhdon të bredhë edhe Naim Ramizi, i cili nuk po arrin ta marr pronën që e ka blerë në vitin 2000.

“Kemi të bëjmë me dy ngastra kadastrale të cilat gjenden në Gjilan dhe janë pronë e familjes time. Familja ime e ka blerë në vitin 2000, dhe kjo është kontrata me të cilën është vërtetuar në gjykatën komunale në Gjilan që vërteton se ne jemi pronar të ligjshëm dhe të vetëm të atyre dy ngastrave. Në ndërkohë ka filluar një problem duke qenë se ne nuk kemi qenë prezentë gjatë tërë kohës në shtëpitë që janë pjesë e zonave kadastrale, njëra prej shtëpive është uzurpuar nga një qytetar i Gjilanit i cili ka qenë shfrytëzues i lokalit qiragji, e ka uzurpuar edhe shtëpinë në mënyrë të dhunshme dhe na u ka pamundësuar hyrja dhe shfrytëzimi i pronës tonë. Atëherë iu kemi drejtuar Gjykatave”, tha Ramizi.

Më pas ai shpjegon se para se t’iu drejtohen gjykatave kishin kontaktuar shitësin e pronave për problemin që u ka ndodhur, duke ia ndaluar pagesën e parave, meqë nuk po arrinin që ta shfrytëzonin pronën që kishin blerë.

Por, pas kësaj, shitësi kishte ngritur një padi për mospërmbushje të kontratës dhe kishte kërkuar anulimin e saj, e cila pjesërisht ishte aprovuar në Gjykatën e Gjilanit në vitin 2001. Kjo gjendje kishte mbetur deri në vitin 2005 kur Ramizi thotë se ishin detyruar t’ia paguanin edhe pjesën tjetër të mbetur të parave, çka e kishte bërë që shitësi ta tërhiqte padinë me arsyetimin se kanë pushuar arsyet.

Ramizi, thotë se edhe më tutje është pikërisht neglizhenca e gjykatave në Gjilan dhe afërsia e uzurpatorit Bekim Korçës me njerëzit e gjykatave, pasi i kanë vërejtur dhe i kanë parë familja e tij të cilët bredhin që 15-16 vite nëpër gjykatat e Gjilanit.

 

Për të dëshmuar origjinalitetin e dokumenteve se familja Ramizi ishte blerëse legjitime e pronës nga një serb, ishte bërë edhe ekspertiza grafologjike e nënshkrimeve të shitësit, që kishte rezultuar se të gjitha nënshkrimet janë origjinale të shitësit dhe nuk ka falsifikime të asnjë dokumenti.

Megjithatë, ende kjo lëndë nuk është zgjidhur, meqë siç thotë Ramizi, për afera korruptive gjyqtari i lëndës suspendohet dhe lënda nuk i ndahet asnjë gjykatësi, por pritet me vjet edhe pse është lënda më e vjetër dhe prolongohet. Derisa, pas kthimit të gjyqtarit, gati qe dy vjet nuk mbahet asnjë seancë gjyqësore.

Se sistemi gjyqësor në Kosovë po përballet me problemin e kontesteve pronësore, e thotë edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci. Ai tha për KosovaPress se kontestet pronësore kanë qenë edhe në të kaluarën, por edhe sot është një prej faktorëve që ka quar deri tek kryerja e veprave penale të vrasjeve.

Megjithatë, Peci shton se në të ardhmen duhet të krijojnë besimin e palëve në gjyqësor që me të vërtetë drejtësinë po e ndajnë drejt dhe nuk do të kenë probleme.

Por, Peci thotë se ende nuk kanë ndonjë numër të saktë të lëndëve që kanë për bazë kontestet pronësore e që janë të pazgjidhura.

Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu thotë për KosovaPress, se problemi më i madh në sistemin e drejtësisë vazhdimisht ka qenë mos zgjidhja e rasteve gjyqësore që janë iniciuar nga qytetarët. Madje, sipas Musliut, ka një mori të lëndëve civile që janë drejtuar nga qytetarët për t’u zgjidhur, por për fat të keq ato shumë më shumë janë ngatërruar.

“Ka edhe konteste pronësor e të cilat janë dërguar në gjykatë në mes të vëllezërve që ta zgjidhin një pronësi dhe kjo lëndë meqë nuk është zgjidhur për vite të tëra ka ardhur deri të krijimi i problemeve qoftë ai edhe në mes të vëllezërve ku në fund ka përfunduar edhe me fatalitet sepse ka ardhur deri të vëllavrasja. Ka pra një mori të lëndëve civile të cilat me vite nuk zgjidhen, zvarriten dhe krijojnë probleme të cilat mund të shkaktojnë edhe vdekje të personave që shkaktojnë ngatërresa për shkak se nuk mund ta gjejnë zgjidhje vet, këtë zgjidhje nuk ua bënë as gjykata përmes drejtësisë, sepse zvarritet me dekada. Prandaj qytetarët detyrohen të marrin vet gjyqësinë në duar dhe kjo është kulmi i të këqijave sepse në njëfarë forme vet shteti po ndikon që të prodhohen krime si rezultat i mosfunksionimit, i mos efikasitetit dhe mos efektivitetit në kryerjen e punëve të tyre”, tha Musliu.

Sipas tij, mos përkrahja e sistemit të drejtësisë është bërë me qëllim që të jetë i varur, prandaj gjykatat vazhdojnë të mos kenë efikasitet dhe efektivitet.

Shpërndaje në rrjete sociale