Konjufca takon Bregun: Vetëm angazhimi i përbashkët sjell progres

14:48 | 21 Prill 2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të kryesuar nga Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme, Amer Kapetanoviq, shef i departamentit politik dhe Pranvera Kastratin, eksperte e lartë për lidhje ekonomike dhe digjitale.

Me këtë rast, kryekuvendari Konjufca konfirmoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të kontribuuar në realizimin e zotimeve dhe përgjegjësive si shtet pjesëmarrës në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe atë të Procesit të Berlinit. Ai tha se vetëm angazhimi i përbashkët i të gjitha shteteve pjesëmarrëse në kuadër të këtij mekanizmi mund të sjellë progresin e synuar dhe përmbushjen e zotimeve të dala nga Procesi i Berlinit, siç janë fuqizimi i institucioneve, forcimi i demokracisë, zhvillimi i inovacionit e digjitalizimit, etj.

Kosova, siç dihet, gjendet në fazën e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe kjo i kontribuon përafrimit të politikave të përbashkëta publike drejt bashkimit në familjen evropiane.

Më tej, Konjufca i njoftoi anëtarët e delegacionit lidhur me krijimin e institucioneve të reja, të dala nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, stabilitetin politik në vend, si dhe luftën kundër pandemisë Covid-19, përfshirë përpjekjet e vendit tonë për vaksinimin e popullatës.

Ndërsa, kryesuesja e delegacionit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën e re në krye të Kuvendit, si dhe e njoftoi lidhur me prioritetet afatshkurtra në nivel rajonal, ndër të cilat tregu i përbashkët ekonomik, lëvizja e lirë dhe njohja reciproke e kualifikimeve akademike.

Palët po ashtu u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në shtyrjen e agjendave të përbashkëta të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të dala nga Procesi i Berlinit./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara