Konfirmohet edhe një rast me variantin afrikan të COVID-19 në Kosovë

09:08 | 8 Qershor 2021

Është konfirmuar edhe një rast i variantit afrikan të COVID-19 në Kosovë, pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Komunikata e plotë:

Në laboratoret e Mikrobiologjisë të IKSHPK, në baza ditore testohen mesatarisht mijëra mostra në ditë. Nga mostrat e testuara në SARS-CoV-2, është konfirmuar edhe një rast me variantin afrikan të SARS CoV-2: South Africa (S.A) Lineage B.11351 (N501Y) (WHO label: Beta).

Pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja.

Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës.

Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.

Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara