Komuna e Rahovecit dhe Këshilli i Evropës ndihmojnë komunitetin REA

16:49 | 16 Shtator 2015
M. A.

Pjesëtarë të komunitetit rom, egjiptian dhe ashkalinj – REA, i cili jeton në komunën e Rahovecit, nga dita e martë i kanë marrë pajisjet e tyre për punë, donacion nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Rahovecit, ku përfitues ishin 10 të rinj dhe të reja të këtij komuniteti.

Sipas Habibe Haxhimustafa, koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut në komunën e Rahovecit, në nëntor të vitit 2014 ka qenë mundësia e aplikimit online te Këshilli i Evropës me një projekt. Ky projekt ishte projekt Ballkanik, ku në tërë Ballkanin kanë qenë përfitues 36 komuna nga shtatë shtete, në mesin e tyre edhe komuna e Rahovecit e cila është shpallur përfituese e një projektit.

Koordinatorja Haxhimustafa, thotë se të gjithë përfituesit e këtyre pajisjeve për punë janë të komunitetit RAE, fillimisht janë aftësuar në Qendrën për Aftësim Profesional në Prizren për tre muaj. Aftësimet kishin të bënin kryesisht me saldim, kuzhinieri dhe floktari.

Pas aftësimit të gjithë janë pajisur me certifikata dhe me mjete pune , të aftësuarit do të fillojnë nga një biznes ku me punën e tyre mund të mbajnë edhe familjet e tyre. Nga kjo mund të thuhet se ky është një p rojekt shumë konkret dhe i arsyeshëm.

Ky projekt ka qenë në bashkëfinancim në mes të komunës së Rahovecit dhe Këshillit të Evropës dhe vlera e përgjithshme e tij është 20 000 euro, thuhet në njoftimin e komunës.

Shpërndaje në rrjete sociale