Komisioni në pritje për FSK-në

13:05 | 15 Nëntor 2017
M. A.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur konferenca rajonale e sigurisë, me temën “NATO-ja dhe Ballkani Perëndimor, dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”. Në këtë konferencë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, premtuan se Kosova do të bëhet me ushtri shumë shpejt.

Drejtuesit e institucioneve të vendit theksuan se formimi i ushtrisë do të bëhet në partneritet të plotë me NATO-n. Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala konfirmoi se po presin që shumë shpejtë të vjen në komision ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë.

“Nuk mund t’i komentoj deklaratat as të Kryeministrit Haradinaj e as të Kryeparlamentarit Veseli, por ne si komision jemi duke e pritur që sa më shpejtë të sillet ligji apo ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë. Në moment që të sillen këto në komision, komisioni do e kryejë punën sa më shpejtë që është e mundur që ta procedojë në Kuvendin e Kosovës”, tha Shala për “Indeksonline”

Shala tregoi se sipas planit të qeverisë, dhjetori është muaji kur do të sillen ndryshimet kushtetuese apo ligjore, në komisionin që ai e udhëheq.

“Sipas planit të Qeverisë, atyre që na ka dhënë për tërë vitin, në dhjetor duhet të jenë ndryshimet ligjore apo kushtetuese në komision. Në komision do të procedohet shumë shpejtë, pastaj do të sillet në kuvend, e aty vendosë kryesia e kuvendit se kur do e procedojnë”, shtoi tutje Shala.

Edhe pse krerët e shtetit po shprehen të bindur për formimin e ushtrisë, partnerët koalicionit qeverisës, Lista Serbe kanë treguar se nuk do e votojnë në asnjë mënyrë Ushtrinë e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale