KMDLNJ: Në veri të Kosovës s’ka kushte për zgjedhje

15:13 | 8 Dhjetor 2022

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vlerësuar se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve dhe se të gjitha partitë politike, me një konsensus duhet të kërkojnë që ato të mbahen në një kohë kur të plotësohen kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të pakushtëzuara.

KMDLNJ nëpërmjet një komunikate për media, ka theksuar se që nga dita e shpalljes së këtyre zgjedhjeve u vunë në veprim strukturat paralele dhe paramilitare për të penguar këto zgjedhje përmes frikësimit të votuesve të mundshëm si dhe kandidatëve, përfaqësues të subjekteve politike apo kandidatë të pavarur të cilët u tërhoqën nga gara.

“Sidomos kohëve të fundit janë aktivizuar forcat që zbatojnë dhunë psikike dhe fizike ndaj atyre që kundërshtojnë Partinë Paramilitare Politike, Listën Serbe, e cila, në emër të “mbrojtjes“ së interesave të serbëve angazhohen të zbatojnë politikat destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Janë shpeshtuar hedhja e mjeteve plasëse që rrezikojnë, jetën, sigurinë dhe pronën e qytetarëve të atyre komunave me qëllim të krijimit të kushteve penguese për mbajtje të zgjedhjeve. Nëse të gjitha këto merren parasysh sikur që pjesa dërrmuese e votuesve të nacionalitetit serbë po i bojkotojnë këto zgjedhje KMDLNj–ë e vlerëson se nuk ka kushte elementare të mbahen zgjedhjet e shpallura nga Presidentja e Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Reagimi i plotë i KMDLNJ-së:

KMDLNJ –ë në Mitrovicë, me vëmendje po e përcjellë zhvillimin e ngjarjeve në Mitrovicen e Veriut, pjesën e ndarë dhunshëm të qytetit pas shpalljes së zgjedhjeve lokale për 4 komuna të Veriut të Kosovës e që u provokua nga dorëheqja kryetarëve të këtyre komunave, si pasojë e një tensionimi të qëllimshëm të situatës. Që nga dita e shpalljes së këtyre zgjedhjeve u vunë në veprim strukturat paralele dhe paramilitare për të penguar këto zgjedhje përmes frikësimit të votuesve të mundshëm si dhe kandidatëve, përfaqësues të subjekteve politike apo kandidatë të pavarur të cilët u tërhoqën nga gara. Në garë mbetën subjektet politike shqiptare, me kandidatë të tyre e që paraqesin minoritet elektoral e që nuk e përcakton rezultatin përfundimtar dhe rea të pushtetit lokal. Sidomos kohëve të fundit janë aktivizuar forcat që zbatojnë dhunë psikike dhe fizike ndaj atyre që kundërshtojnë Partinë Paramilitare Politike, Listen Serbe, e cila, në emër të “mbrojtjes“ së interesave të serbëve angazhohen të zbatojnë politikat destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Janë shpeshtuar hudhja e mjeteve plasëse që rrezikojnë, jetën, sigurinë dhe pronën e qytetarëve të atyre komunave me qëllim të krijimit të kushteve penguese për mbajtje të zgjedhjeve. Nëse të gjitha këto merren parasysh sikur që pjesa dërrmuese e votuesve të nacionalitetit serbë po i bojkotojnë këto zgjedhje KMDLNj–ë e vlerëson se nuk ka kushte elementare të mbahen zgjedhjet e shpallura nga Presidentja e Kosovës. Raportet nga KMDLNj –ë në Mitrovicë rekomandojnë që këto zgjedhje të mos mbahen dhe të shtyhen për një kohë më të përshtatshme aq më parë që askush nuk mund të garantojë sigurinë për votuesit sikur edhe vendet ku duhet të mbahen këto zgjedhje.

Në zgjedhje votohet për të siguruar një përfaqësim politik që garanton plotësimin e kushteve dhe nevojave për qytetarët, pa iu kërcënuar liria e votës dhe pa u dhunuar vullneti i votuesit pavarësisht përkatësisë politike, etnike, moshore, racore të moshës dhe të tjera e, në rrethanat aktuale këto kushte nuk janë plotësuar. Madje, në këtë tensionim të kurdisur të situatës së sigurisë, absolutisht rrezikohen të drejtat e njeriut, e drejta për jetë, e drejta e lirisë së lëvizjes dhe e drejta e përcaktimit në bazë të vullnetit, pa iu nënshtruar asnjë presioni.

Përfundimisht, KMDLNj –ë konstaton se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve dhe se të gjitha partitë politike, me një konsensus duhet të kërkojnë që ato të mabhen në një kohë kur të plotësohen kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të pakushtëzuara. KMDLNj –ë thërret të gjitha partitë politike të mos kontribuojnë në tensionimin e situatës duke bërë përpjekje të përfitojnë politikisht nga situata e krijuar.

Zgjedhjet për komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale