Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka cilësuar si abuzim të rëndë ekonomik ndaj qytetarëve të Kosovës faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor, ndërsa kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë punën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
KMDLNJ-ja ka thënë se ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët, të cilët raportojnë se faturat e dhjetorit janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak. Në reagim thuhet se një rritje e tillë është e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, sidomos duke marrë parasysh se temperaturat mes dy muajve nuk kanë pasur dallime të ndjeshme, çka përjashton rritjen e konsumit si arsye.
“KMDLNJ-ja vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.
Organizata ka akuzuar ZRRE-në se, që nga themelimi i saj, ka vepruar vazhdimisht në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin. Sipas KMDLNJ-së, këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor që ka konstatuar diskriminim të qytetarëve në baza etnike dhe politike, pa pasuar kompensim për dëmet e shkaktuara.
Po ashtu, KMDLNJ-ja vlerëson se mbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRRE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për situatën aktuale, duke e identifikuar si pjesë të procesit të varfërimit të qytetarëve.
Në reagim shprehet shqetësim edhe për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshime të bazuara për korrupsion që, sipas KMDLNJ-së, përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë. Licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike nxit dyshime serioze për korrupsion institucional të mirëplanifikuar”, thuhet në reagim, duke veçuar si alarmante dhënien e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë një shtetasi serb, Vuk Hamoviq.
KMDLNJ-ja ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë punën e ZRRE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj, dhënien e licencave monopolizuese, proceset e licencimit me baza nepotiste e politike, vendosjet politike në pozita kyçe si dhe të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.
Po ashtu, organizata ka paralajmëruar se një rritje e re e çmimit të energjisë elektrike, e paraparë të shqyrtohet nga ZRRE-ja në mars 2026, do ta përkeqësonte edhe më tej gjendjen ekonomike të familjeve kosovare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve. KMDLNJ-ja ka ftuar qytetarët që të kundërshtojnë çdo rritje të çmimit të rrymës, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet.
Bellingham nën presion, Tuchel në “halle” –...
Ushtarët italianë kryejnë patrullime nëpër Kosovë, KFOR: Me ...
Barcelona ka gati të hap një tjetër pjesë të “Spotify ...
Rritet dogana për makinat e përdorura në Shqipëri, tarifat e...
Tre të lënduar nga aksidenti mes dy veturash në Vushtrri
Ushtria izraelite thotë se vrau një anëtar të Forcës Quds të...