Nëse niseni për në Klinikën e Pulmologjisë së QKUK’së për trajtim mjekësorë, atëherë vështirë se do të mund ta merrni të duhurin. Kjo ngase kjo klinikë, përballet me mungesa të mëdha, qoftë të ilaçeve, shtretërve, hapësirave e shumë mungesa të tjera. Për krejt këtë punë janë të informuar udhëheqësit e SHSKUK’së. Mirëpo në këtë klinikë viteve të fundit nuk ka pasur investime.
Ka marrë rrugën për trajtim në QKUK për shkak të disa problemeve me frymëmarrje. Zonja nga Prishtina e rreth të 50’ave thotë se aty u ballafaqua me mungesë të ilaçeve.
“Unë kam bronkit, po duhet shpesh me ardhë këtu në klinikë. Por edhe ilaçet po më detyrojnë me i blerë vet. Kurgjo s’po kanë”, thotë kjo zonjë. Ajo tregon se bleu ilaçe në vlerën e 8 eurove.
E për mungesa të tilla janë në dijeni edhe udhëheqësit e klinikës së Pulmologjisë. Drejtoresha e klinikës, Dr. Rukije Mehmeti, e cila së fundmi e ka marrë këtë pozitë, ka shpjeguar të martën për Gazetën Express, rreth vështirësive me të cilat ballafaqohet klinika të cilën ajo e udhëheq.
Mehemti tregon se Pulmologjia ballafaqohet me mungesë të stafit mjekësorë, ilaçeve, e shtretërve. Ajo thotë se Klinika të cilën ajo e udhëheq e zhvillon punën në objektin e Klinikës së Dermatologjisë, objekt ky jo i mjaftueshëm për fluksin e pacientëve.
“Unë në këtë Klinikë punojë që 34 vite dhe mendojë që në radhë të parë duhet të sigurohen kushtet minimale për punë. Këtu mendojë për stafin i cili punon në këtë klinikë, sepse ne jemi mysafir në këtë klinikë. Kemi ardhur për dy vite dhe kemi mbete kaq gjatë këtu. Ne faktikisht e kemi uzurpu klikën e Dermatologjisë dhe qëndrojmë këtu me vite të tëra. Kushtet nuk janë aspak konform punës të cilën e kryejmë. Mirëpo jemi mundu që t’i ofrojmë disa kushte minimale mjekëve dhe stafit punues”, shpjegon drejtoresha e klinikës.
Ajo thotë se kjo klinikë nuk ka as staf të mjaftueshëm.
“Kjo klinikë numëron diku 45 punëtorë për tre ndërrime. Është shumë e vështirë me funksionu, pasi kemi një numër të stafit që janë pensionu, kanë ndërru vende të punës e nuk janë zëvendësua me vende të tjera. Në fillim numri i stafit ka qenë 68 tash kemi rënë në 45”.
Tutje ajo shpjegon se terapi të mjaftueshme kanë vetëm për rastet e pacientëve të cilët janë të sëmurë nga tuberkulozi. Ndërkaq për sëmundjet e tjera sasitë e ilaçeve mungojnë.
“Terapi kemi, çka është më e rëndësishmja për tuberkuloz. Ndërsa për sëmundjet e tjera, ju e dini gjendjen që ekziston në të gjithë QKUK’në, që do të thotë investimi shumë pak i vogël në shëndetësi e ka bërë këtë avari në shëndetësi”, tregon drejtoresha, Rukije Mehmeti.
E këto probleme nuk janë të vetmet me të cilat ballafaqohet kjo klinikë e QKUK’së. Aty mungojnë dhe shtretërit. Madje ata që janë, ka dekada që përdoren. Pulmologjia i ka 68 shtretër. Ndërkohë që vetëm brenda muajit të fundit në këtë klinikë hospitalizim kanë kërkuar 176 pacientë.
“Ne në klinkë i kemi 68 shtretër me 1190 vizita mujore ambulatore të kryera në klinikën tonë. 176 pacientë janë hospitalizuar brenda një muaji lloji më i shpeshtë i sëmundjeve janë ato kronike obstruktive. Vdekshmëria është më madhe, mirëpo zakonisht vetitë jo të mira. Ata me vetëdije të plotë shkojnë kah përkeqësimi i gjendjes”.
Drejtoresha e klinikës, Dr. Rukije Mehmeti, kërkon ndihëm e institucioneve të shëndetësisë kosovare. Thotë se këta të fundit duhet a shohin më me prioritet klinikën e Pulmologjisë.
“Shumë pak investohet dhe është shumë e vështirë me planifiku edhe terapi me këto pak investime në shëndetësi. Çdo ditë e jona është sfidë duke pasur parasysh se sa jepet për shëndetësinë. Por mendojë që kjo situatë do të rregullohet me implementimin e punës së sigurimeve shëndetësore dhe ne nuk do të jemi më në këtë situatë sepse sa shkojnë pacientët jashtë ne i diagnostikojmë dhe trajtojmë këtu. Pra kemi mungesë të kushteve elementare për punë e këto kushte është vështirë të realizohen me këto investime në shëndetësi”, shpjegon ajo për Express.
E në këtë klinikë, trajtohen raste shumë të ndjeshme, kryesisht ato si tuberkulozi dhe sëmundje të tjera respiratore.
Kuba ndërmerr masa ekstreme për të përballuar mungesën total...
Ambasada e Kosovës në SHBA do hap dyert për bashkatdhetarët ...
Prehet torta në dasmën e Klodit dhe Elijonës
Zyrtare: Liria ndan rrugët me Liridon Lecin
Tërmet në Kosovë, ja ku ishte epiqendra
Vetura përplaset me kalin në Lushnje, plagoset një person, n...