Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mjete shtesë, që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të tij, janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i i bëri komentet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se përse të shtunën kishte forca të shtuara të misionit në këtë urë.
“Dislokimet e tilla shtesë janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i bën për t’i testuar procedurat e tij dhe për t’i ruajtur standardet më të larta operacionale”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
KFOR-i ka prani të përhershme në urën kryesore të Ibrit, që e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun e banuar me shumicë serbe.
Por, mëngjesin e së shtunës, atje u pa prani më e madhe e forcave dhe autoblindave.
Në orët e pasdites, disa prej tyre u tërhoqën.
Ky zhvillim erdhi një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione paralele serbe në veri, për të cilat thanë se funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera reaguan, duke thënë se ky veprim ishte “i pakoordinuar” me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është “i shqetësuar me dhunën” dhe për “shkeljen e përsëritur të të drejtave të serbëve”.
Javëve të fundit, Qeveria e Kosovës është duke paralajmëruar edhe për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e makinave.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar që të përmbahet prej një veprimi të tillë në këto momente.
Në deklaratën dhënë REL-it, KFOR-i tha se “po e monitoron situatën e sigurisë në veri” dhe se “mbetet vigjilent”./rel
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...