Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje

16:26 | 11 Shkurt 2026
R J

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.I., për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 09.02.2026 rreth orës 17:35, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, i pandehuri ka mbajtur në posedim pa autorizim substancë narkotike të dyshuar si kokainë, me qëllim shitjeje apo shpërndarje, në atë mënyrë që deri sa ka qenë duke drejtuar veturën Hunday, është ndalur nga hetuesit e DHTN-së në Ferizaj me qëllim kontrolli rutinor, kështu që gjatë kontrollit në trupin e tij janë gjetur dy qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 1.75 gr dhe një epruvetë me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 10.68 gr, kurse gjatë kontrollit në zyrën e punë në Qendrën e Aftësimit Profesional në Ferizaj është gjetur dhe sekuestruar një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 19.10 gr të cilat janë sekuestruar nga policia, me këtë do të kryente veprën penale “Blerja, posedimi , shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 të KPRK-ës.

Po ashtu, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 09.02.2026 në zyrën e punës, në Qendrën e Aftësimit Profesional në Ferizaj, ka mbajtur në posedim pa autorizim armën, në kundërshtim me Ligjin Mbi Armët 05/L-022, në atë mënyrë që me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit nga ana e hetuesve të DHTN-së në Ferizaj është gjetur dhe sekuestruar një revole e markës TT M5 me mbishkrim RSFJ, e kalibrit 7.62 mm dhe një karikator me 4 plumba të kalibrit 95II mm, kurse në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar një sprej OC me mbishkrimin “bodygard”, të cilat janë sekuestruar nga policia, me këtë do të kryente veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ sanksionuar me nenin 366 paragrafi1 të KPRK-së.

I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartëcekura./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale