Republika e Kosovës është vend i vogël, por mjaft atraktiv për vizitorët.
Çdo vit vendi ‘eksplorohet’ nga mijëra të huaj nga shtete të ndryshme të botës, shkruan arbresh.info.
arbresh.info ka një javë qëkur ka dërguar pyetje në Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike për të marrë numrin e turistëve që kanë vizituar Kosovën vitin që lamë pas, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa sipas statistikave të Hotelerisë në Kosovë të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në hotelet e Kosovës gjatë vitit që lamë pas kanë qëndruar mbi 170 mijë vizitorë të huaj.
“Në TM1 2019 numri i vizitorëve të jashtëm është 37 953 ndërsa numri i net-qëndrimeve të tyre është 63 260. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren e kështu me radhë. Në TM2 2019 numri i vizitorëve të jashtëm është 44 138 ndërsa numri i net-qëndrimeve të tyre është 77 831. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren e kështu me radhë. Në TM3 2019 numri i vizitorëve të jashtëm është 53 984 ndërsa numri i net-qëndrimeve të tyre është 106 270. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë e kështu me radhë. Në TM4 2019 numri i vizitorëve të jashtëm është 41 283 ndërsa numri i net-qëndrimeve të tyre është 74 219. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Nga Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike nuk janë përgjigjur as nëse kanë ndonjë plan për ndihmë të këtij sektori.
Por ky sektor është njëri prej më të dëmtuarve pas përhapjes së pandemisë Covid 19.
Kështu thotë për arbresh.info, Zekë Çeku, ekspert Senior i Turizmit.
“Industria e Turizmit dhe Udhëtimeve, si në Kosovë ashtu edhe në nivel global, është ndër sektorët më të dëmtuar, për shkak të Pandemisë së Covid 19. Të gjitha veprimtaritë shërbyese në kuadër të industrisë së Turizmit, siç janë udhëtimet dhe qëndrimet në destinacion, mikpritja hoteliere, gastronomia dhe shopingu, janë ndërprerë që në fillim të pandemisë, si në nivel botëror ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë ai.
Çeku ka shtuar se humbje të mëdha u është shkaktuar agjencioneve turistike pas anulimit të rezervimeve.
“Vetëm një agjenci që merret ekskluzivisht me sjelljen e grupeve turistike ndërkombëtare në Kosovë, “Intours & Travel”, që në vitin 2020, ka pas numrin më të madh të rezervimeve (të kontraktuara më herët), që nga fillimi i Prillit e deri në fund të Korrikut ka humbur 9 grupe turistike të rregullta 6 – 8 ditore në Kosovë, si dhe shumë vizitor në grupe të vogla dhe individual, nga SHBA, Kanada, Japonia, Britania e Madhe, Danimarka dhe Lituania. Në të njëjtën mënyrë kanë humbur edhe agjenci tjera turistike nga Kosova, të cilat organizojnë ardhjen e vizitorëve ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Sipas ekspertit Senior të Turizmit, institucionet e vendit duhet të ndërmarrin disa lloje të masave me qellim të ndihmës sektorit të turizmit.
“Masat imediate, kompensimi i pagave të punëtorëve, deri në fund të Majit 2020, në të gjitha kompanitë e agjencive, hoteleve dhe restoranteve, të përkrahen të gjitha agjencitë e transportit turistik ajror dhe rrugore, duke ju shtyrë edhe me tutje një pjesë të tatimeve dhe obligimeve ndaj bankave, të gjithë pronarëve të bizneseve, përkrahja me grante dhe huazime afatshkurtra dhe afatmesme, me kushte të favorshme, për rihapjen e bizneseve, në nivel të mjeteve qarkulluese dhe të furnizimit më lëndë të parë dhe energji, përkrahje stimuluese për kthimin e të gjithë të punësuarve, pas rifillimit të punës”, ka thënë ai.
Ndërsa në masat afatmesme është kërkuar që të gjitha seminaret e institucioneve të mbahen brenda Kosovës.
“Të bihet vendimi nga institucionet qendrore dhe komunale, si dhe të agjencive ndërkombëtare, që të gjitha organizimet e konferencave, takimeve, seminare e të ngjashme, të mbahen brenda Kosovës, Të ndryshohet niveli i TVSH për të gjitha bizneset e turizmit dhe Mikpritjes hoteliere, përfshirë edhe gastronominë, nga 18% në 8%, të stimulohen në emër të eksportit të brendshëm, të gjitha agjencitë që sjellin turistë ndërkombëtar në Kosovë, ngjashëm me modelin e Maqedonisë Veriore dhe Serbisë, të punohet më shumë në përkrahjen e organizimit të shkollimit dhe trajnimeve profesionale në sektorin e Turizmit dhe Mikpritjes hoteliere”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se personat që merret me turizëm në Kosovë janë të shqetësuar për gjendjen dhe u nevojitet përkrahje.
“Të gjithë kolegët e profesionit, kanë halle të shumta dhe janë mjaftë të frustruar, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, dhe paqartësive si do rrjedhë koha e rihapjes dhe mënyra e funksionimit në kushte të veçanta. Të gjithë mezi presin të rifillojnë punën, ndonëse shumica dërmuese, e kanë të vështirë të adaptohen në rrethana të reja, ndonëse është e domosdoshme, për çka kanë nevojë të përkrahjes me masa të mbrojtjes së distancës, dhe për kujdesit perfekt për konsumatorët, me rastin e vizitave dhe shfrytëzimit të shërbimeve dhe produkteve të tyre. Këtu mendojmë edhe në përkrahjen nga niveli komunal, në aspektin e përkrahjes në masat e distancimit dhe dezinfektimit të qasjeve dhe hapësirave, materialit dezinfektues dhe mbrojtës (dorezat dhe maskat për staf), në periudhën fillestare”, ka përfunduar ai.
Në Kosovë ende nuk është prezantuar ndonjë plan për përkrahje të turizmit. /arbresh.info/
Faza përmbyllëse e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së nis të ...
Rihapja e Tik-Tok, Rama: Nuk ishte dorëzim, janë vendosur me...
19-vjeçarja Lara Colturi shkruan histori në sportet dimërore...
Vetplagoset me armë zjarri një person në Drenas
Policia e Kosovës: 68 aksidente në autostrada gjatë muajit j...
Gazeta spanjolle e bindur: Reali është penduar që e ka huazu...