I akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja ka kundërshtuar akuzën e cila i vihet në barrë. Hudhjen e aktakuzës e kanë kërkuar edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Xhavit Dakaj, Xhemajl Buzuku dhe Afrim Demiri.
Sipas aktakuzës, ish-ministri i MASHT-it, Buja, dhe Dakaj si Sekretar i Përgjithshëm në MASHT, kishin lidhur marrëveshje të kundërligjshme me operatorin ekonomik “Alb – Architect”, pronar i të cilës është i akuzuari Afrim Demiri. Ndërsa Buzuku duke qenë në cilësinë e drejtorit të prokurimt në MASHT kishte lejuar lidhjen e kontratës me këtë operator, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.
Në seancën e dytë të këtij gjykimi, të mabjtur të mërkurën, gjithë mbrojtësit e të akuzuarve i kishin parashtruar Gjykatës me shkrim, kundërshtimet lidhur me provat si dhe kërkesat për hudhjen e aktakuzës.
Florent Latifaj, përfaqësuesi i të akuzuarit Buzuku deklaroi se për të ekzistuar kryerja e veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, do duhej të plotësoheshin kushtet e parapara me ligj. Sipas tij nëse dikujt iu është vazhduar kontrata në mënyrë të kundërligjshme, atëherë dikush është dashtë të përfitonte. Në këtë rast, sipas avokatit Latifaj, MASHT-it nuk iu është shkaktuar kurrfarë dëmi, dhe aktakuza nuk ka përcaktuar as ekspertizë për ta dëshmuar të kundërtën. Andaj, Latifaj duke e cilësuar këtë aktakuzë si të mangët, propozoi që e njëjta të hudhet poshtë pasi që si e tillë mund të shkaktoj pasiguri juridike.
Dakaj, i cili kishte vendosur të deklarohej pa mbrojtës në këtë fazë të procedurës, tha se në kërkesën parashtruar gjykatës, ai ka siguruar disa prova rreth buxhetit të planifikuar të MASHT-it, për vitet 2009-2014. Dakaj gjatë këtij procesi gjyqësor, bëri të ditur se për dy aktivitetet bazë të kontratës janë shpenzuar 9.842.011 euro, shumë kjo e cila bie në kundërshtim me shkresat e lëndës, pasi që në to shpenzimi është përcaktuar shumë më i vogël.
“Nuk kemi të bëjmë me dëmtim të buxhetit si dhe nuk kemi të bëjmë me ndonjë përfitim të kundërligjshëm të operatorit, e që fitimi eventual i operatorit ekonomik do të ishte në dëm të MASHT-it” tha Dakaj. Prandaj sipas tij, kjo aktakuzë duhet të hudhet poshtë pasi që elementet qenësore të veprës penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, nuk qëndrojnë.
Avokati Petrit Dushi, mbrojtës i të akuzuarit Ramë Buja, shtoi se i mbetet gjykatës që të vërtetojë besueshmërinë e provave, të cilat në këtë rast nuk e kanë kualitetin e duhur.
I fundit për të elaboruar kërkesën parashtruar gjykatës, ishte avokati Ramë Dreshaj, i cili në këtë rast përfaqëson të akuzuarin Demiri. Dreshaj tha se i mbrojturi i tij pas aplikimit për tender kishte dërguar edhe 40 kontrata të punëtorëve të kompanisë, për ta sinjalizuar kontratë dhënësin se ka mjaftueshëm kapacitet për ta implementuar të njëjtin.
Përfaqësuesi i aktakuzës, prokurori special Ali Rexha, tha se në mënyrë që të shihet epilogu i çështjes, do të duhej të vazhdohej me shqyrtim gjyqësor, pasi që akuza është e bazuar në prova të mjaftueshme materiale.
Gjykatësi i vetëm i trupit gjykues, Valon Kurtaj, njoftoi se në afat sa më të shpejtë, do të kuptohet nëse do të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor apo jo./BetimipërDrejtësi/
Moti sot i vranët dhe me intervale me diell
Policia e ndjek nëpër mal dhe e kap të dyshuarin që e dogji ...
Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, dy të dyshuar...
Juventusi interesohet për shërbimet e portierit të klubit të...
Kurti: Kriminelët e mëdhenj serb ose janë në burgun e Dyzit,...
Kurti “punëson” gjyshërit: Nga 100 euro shtesë për ata që ku...