Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka publikuar të dhënat për pagat mesatare të punonjësve për vitin 2025. Sipas tabelës së përgatitur nga KEK-u, paga mesatare bruto për një punonjës është 1,226.60 euro, ndërsa paga mesatare neto arrin në 1,080.12 euro.
KEK-u thekson se mirëqenia dhe kushtet e punës për punonjësit mbeten prioritet i lartë i Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, në përputhje me përgjegjësitë profesionale dhe ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjes, sigurinë e operimeve dhe përmirësimin e performancës mjedisore.
Korporata thekson përkushtimin e saj ndaj dialogut social me sindikatat, duke garantuar trajtim të drejtë të çështjeve që lidhen me mirëqenien e punonjësve, gjithmonë në përputhje me performancën dhe mundësitë reale të ndërmarrjes.
Bordi dhe Menaxhmenti kanë treguar vazhdimisht gatishmëri për të dëgjuar dhe adresuar kërkesat e punonjësve dhe sindikatave, duke ruajtur stabilitetin financiar të ndërmarrjes. Për vite me radhë, KEK ka ofruar përfitime të rëndësishme për punonjësit, përfshirë sigurim shëndetësor, transport, shujta të dinjitetshme, pagesa jubilare, pagesën e përvojës së punës, rritje lineare të pagave dhe bonuse vjetore.
KEK-u riafirmon angazhimin e tij për të siguruar kushte të mira pune dhe për të mbështetur zhvillimin profesional dhe mirëqenien e punonjësve të tij.
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka reaguar pas publikimit të një tabelë nga bordi dhe menaxhmenti, e cila pretendonte të tregonte rritjen e pagave mesatare të punëtorëve gjatë viteve.
Sindikata thekson se shifrat e publikuara përfshijnë elemente shtesë si shujtat, transportin, sigurimin shëndetësor, pagesat për orë shtesë dhe vikende, përvojën e punëtorëve dhe bonuset, duke fshehur kështu paga bazë reale të punëtorëve, të cilat sipas tyre janë rreth 750 euro.
“Nëse punëtori nuk punon përtej orarit ligjor, nuk punon në vikende dhe nuk sakrifikon shëndetin, nuk arrin këto shifra që prezanton menaxhmenti”, thuhet në reagim.
Sindikata kërkon gjithashtu publikimin e pagave të menaxhmentit, të cilat janë deri 4–5 herë më të larta se paga e punëtorit mesatar.
Në reagim, Sindikata e Re e KEK-ut thekson se nuk kërkon luks, por paga bazë dinjitoze, drejtësi dhe respekt për punën dhe rrezikun që mbajnë çdo ditë punëtorët. Ajo deklaron se do të vazhdojë të kërkojë këto të drejta dhe nuk do të ndikohet nga statistika që nuk pasqyrojnë realitetin në terren.
Ambasadori britanik në Kosovë uron Krishtlindjen
Asllani nën vëzhgim të klubeve të mëdha evropiane, Hoffenhei...
Sveçla: Mitrovica nuk lëshon pe
Portret familjar nga ambasadori britanik/ Hargreaves uron Kr...
LVV sot mban tubim në Gjilan, merr pjesë Kurti
Tatimi në pronë deri 300%? Nga 1 janari në fuqi ligji që po ...