Katër ditë për Konjufcën/ A do të ketë qeveri të re apo zgjedhje të parakohshme?

12:01 | 15 Nëntor 2025
E.K

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Glauk Konjufca, ka katër ditë afat, deri më 19 nëntor, për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e ekzekutivit të ardhshëm dhe për të parë nëse ka shumicën e nevojshme për ta formuar qeverinë.

Megjithatë, qëndrimi i partive parlamentare ndaj nominimit të Konjufcës nuk ka ndryshuar. Partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate – kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga ai dhe kanë kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se Konjufca nuk ka numrat për të formuar qeverinë dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi Konjufcën për pranimin e mandatit.

“Ky është kalkulim për datën e zgjedhjeve. Po të kishte Konjufca minimalisht dinjitet, për të cilin unë kam besuar se e ka, nuk do ta merrte mandatin fare. Ose po ta merrte mandatin sa për të kënaqur organet e partisë, dhe të nesërmen të dilte të deklaronte se s’ka shumicë, rrjedhimisht Presidente e nderur na cakto datën e zgjedhjeve sepse s’kam ndërmend t’i humb Kosovës 15 ditë kohë”, tha kreu i LDK-së.

Nga ana tjetër, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, konfirmoi se është kontaktuar nga zyra e Konjufcës për takim, por nuk ka pranuar, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë propozim serioz.

“Po lutemi për zgjedhje te reja sa me shpejt. Kanë kërkuar zotri Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja ‘Qitma votën si vëlla se e du Kosovën’, Kosovën nuk është që e do vetëm një të gjithë e duam dikush më shumë ndoshta”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha më 10 nëntor se nuk është e mençur të shkohet në zgjedhje në dhjetor. Ai nënvizoi se deputetët duhet të zgjedhin mes dy opsioneve: një qeveri Kurti që zgjasin deri në dhjetor ose një qeveri nën udhëheqjen e Konjufcës që do të qëndrojë deri në prill./Arbresh.info