Ngjarjet e fundit në Llapushnik – protestat kundër ndërtimit të kishës katolike në këtë fshat dhe kontestimet që po bëhen për pronën për varreza nga banorët – ishin temë në Zona B të Klan Kosovës, me Jusuf Thaçin – banor i Llapushnikut dhe ish drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Thaçi shpërfaqi zanafillën e problemit të ndërtimit të kishës në Llapushnik, duke refuzuar që këtë problem ta quajë “konflikt”.
Ai theksoi se problemi qëndron në kërkesën e Ipeshkvisë së Kosovës, e jo tek banorët.
“Ipeshkvia e Kosovës ka kërkuar një parcelë toke prej pesë hektarësh për varrezat dhe një kishë për komunitetin katolik në Llapushnik, në të cilin janë pesë familje katolike, apo rreth 30 persona”, tha ai, duke shtuar se vendi në të cilën po kërkohet të ndërtohet kjo kishë është simbol i fshatit të Llapushnikut.
“Komuna e Drenasit e ka ndarë tokën për kishën – jo pesë hektarë, por 2.5 hektarë – në një zonë shumë domethënëse dhe simbolike për fshatin, aty ku janë zhvilluar betejat më të mëdha të Grykës së Llapushnikut. Ndërtimi i kishës në një pjesë ku pritet të ndërtohet një lapidar nuk besoj se i kontribuon dikujt të ndërtojë ndonjë objekt kulti. Llapushnikasit kanë thënë: në këtë zonë as kisha – as xhamia”.
Kërkesën për vendin dhe madhësinë e parcelës Thaçi e konsideroi si problemin kryesor, por sipas tij kjo çështje është lehtësisht e zgjidhshme nëse iniciatorja, Ipeshkvia e Kosovës, do ta ndërronte lokacion.
“Problemi kryesor është me madhësinë e parcelës dhe me vendin ku synohet të ndërtohet. Kur Ipeshkvia e Kosovës kërkon pesë hektarë tokë për një komunitet prej 30 banorëve, kjo është një kërkesë e ekzagjeruar. Po ashtu, është kërkuar në një vend ku ata kanë ditur për simbolikën e tij. Zgjidhja e kësaj çështjeje është shumë e lehtë. Të vendoset parcela afër komunitetit katolik dhe të gjithë fshatarët do të ndihmojnë të ndërtohet”.
Thaçi përfundoi se në këtë çështje ka më shumë politikë se fe dhe se fshatarët e Llapushnikut është dashur paraprakisht të konsultohen për këto veprime. /Klan Kosova/
“Gjendja e FSK-së”, Konjufca i quan deklaratat e Vlora Çitak...
Semenyo zgjedh destinacionin e radhës, përkundër interesimit...
Shefi i ushtrisë së Libisë vritet në një aksident ajror në T...
Glauk Konjufca tregon dy arsye pse qytetarët duhet të mbësht...
Hamza premton ulje të çmimeve përmes heqjes së TVSH-së në pr...
Aksident mes dy veturave në hyrje të autostradës në Kaçanik,...