Javën tjetër nis asfaltimi i rrugës “Fehmi Agani”, qytetarët thonë se po neglizhohet puna

07:36 | 31 Maj 2018
M. A.

Pluhur, baltë, zhurma e vështirësi në qarkullim tash e dy muaj janë duke u përballur këmbësorët të cilët kalojnë përgjatë rrugës “Fehmi Agani” në Prishtinë, shkruan portali arbresh.info.

Përpos këmbësorëve të cilët kalojnë çdo ditë në këtë rrugë, po ankohen edhe shoferët e veturave të cilët detyrohen të presin deri në 10 minuta për të kaluar rrugën.

“Shpirti na u ka lodhë. Që dy muaj ditë 300 metra kanalizim nuk kanë mujt me i bo. As nuk mundemi me hy ne banesa as nuk mundemi me kalu me vetura as nuk mundemi me i shfrytëzu parkingjet. Ua kanë dhanë kompanive jo profesionale”, është shprehur një kalimtar i rastit.

Ky kaos në kryeqytet, ka ardhur si pasojë e punimeve për rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, si dhe rregullimi i sistemit të ujësjellësit.

Zëdhënësi për media në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për portalin arbresh.info se punët në rrugën “Fehmi Agani” janë duke shkuar sipas planit të paraparë brenda 60 ditëve.

Tahiri ka thënë se gjatë javës së ardhshme, do të fillojë asfaltimi i rrugës.

“Pavarësisht problemeve të papritura që kemi hasur me infrastrukturën nëntokësore, punimet në rrugën “Fehmi Agani” janë brenda afateve të parapara në kontratë dhe janë duke shkuar sipas ditarit të punës (ende nuk janë bërë 60 ditë pune). Gjatë javës së ardhshme, terreni do të jetë i gatshëm për asfaltim”.

Ndërsa sa i përket kërkesës së disa pronarëve të lokaleve që janë pranë rrugës që po bëhen punimet tek vendi i quajtura si “Kafet e Vogla”  për lirim nga pagimi i taksave për terrasat, komuna e sheh si jologjike.

“Ujësjellësi, kanalizimi fekal dhe ai atmosferik, janë të domosdoshme. Si rrjedhojë, intervenimi ka qenë i domosdoshëm. Kjo shkon në favor të qytetarëve që banojnë në atë lagje, si dhe në favor të vetë bizneseve. Kur dihet se është punuar në pronë komunale, kërkesa për “kompensim” është jologjike”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Punimet në rrugën “Fehmi Agani” kanë filluar me 4 prill dhe është paraparë që të përfundojnë brenda 60 ditëve./Arbresh.info/

 

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1804590089606075/