Jashari: Kosova ballafaqohet me probleme të keqadministrimit të ujërave

16:18 | 22 Mars 2018

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, me rastin e Ditës ndërkombëtare të Ujërave, ka shprehur brengosjen e tij me gjendjen e ujërave në Kosovë, për shkak të mos mirëmbajtjes dhe shkarkimit që ka vazhduar deri në masën që paraqet shqetësim serioz edhe për shëndetin e përgjithshëm të popullatës.

Ai ka thënë se Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme të keq administrimit të ujërave, ndonëse Kushtetuta dhe Ligji në fuqi për Ujërat, garanton zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin socio-ekonomik.

“Përpjekja serioze e institucioneve përgjegjëse, për të pasur një vizion të qartë dhe një strategji kombëtare për ujërat, ende mungon. Përballë ndryshimeve klimatike, paraqitet shumë brengosës moskujdesi ndaj burimeve natyrore të ujit, si dhe neglizhenca ndaj paralajmërimeve me kohë nga terreni apo shqetësimeve të publikuara edhe nëpërmjet mediave”, ka thënë Jashari.

Problemet serioze në këtë fushë, sipas Avokatit të Popullit, kanë të bëjnë me mos ngritjen e një sistemi për monitorimin e cilësisë së ujërave nëntokësore, mundësitë e ngritjes së infrastrukturës ujore, sidomos mungesës së impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura, që do të ruanin cilësinë e ujërave sipërfaqësore.

Institucioni i Avokatit te Popullit tërheq vëmendjen e të gjitha institucioneve përgjegjëse, që të respektojnë dispozitat ligjore për përmirësimin e gjendjes së ujërave dhe të mundësojnë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në ujë të pastër, të pijshëm, sipas standardeve ndërkombëtare.

Ndryshe, simbolika e kësaj date është përqendrimi i vëmendjes në vetë rëndësinë e ujit, ndërkohë që për këtë vit, Kombet e Bashkuara kanë vendosur temën “Natyra për Ujin”, në kërkim të një zgjidhje për sfidat e ujit, me të cilat ballafaqohet njerëzimi në shekullin njëzet e një.

Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, konkretisht objektiva e gjashtë, synon menaxhim të qëndrueshëm të ujërave deri në vitin 2030, duke përfshirë synimin për të rritur riciklimin e ujit dhe sigurinë që i njëjti të jetë i sigurt për t’u përdorur.

Në Kosovë, ujërat, si pjesë përbërëse e mjedisit, janë e drejtë e njeriut, e garantuar me Kushtetutë.

Shpërndaje në rrjete sociale