Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga së bashku me kryeministrin Isa Mustafa kanë organizuar pritje solemne me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast presidentja Jahjaga në fjalën e saj para të pranishmëve ka theksuar se shteti ynë ka lindur me shumë mundime.
“Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetë vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri. Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t’i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë”, tha Jahjaga.
Jahjaga më pas ka shtuar se Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
“Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t’i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer”, u shpreh Jahjaga gjatë fjalimit të saj.
Presidentja më pas ka theksuar se këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes, dhe se mospajtimet janë të kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë.
“Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun”, shoti Jahjaga.
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...
Franca sekuestron një cisternë nafte të dyshuar si pjesë e “...
Mot kryesisht i vranët të premten, temperaturat deri në 7 gr...
AS Roma merr fitore të madhe ndaj Stuttgartit në Ligën e Evr...