Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me të cilin bisedoi për proceset integruese të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel, për sfidat e themelimit të Gjykatës Speciale dhe për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë.
Presidentja, duke vlerësuar marrëdhëniet me Gjermaninë, theksoi rëndësinë e mbështetjes së qeverisë gjermane për proceset demokratike në vend dhe posaçërisht për rrugën evropiane të Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se Kosova dhe rajoni të vetmen alternativë e kanë integrimin në BE dhe prandaj qëndrueshmëria, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore do të përcaktojnë dinamikën integruese.
Jahjaga theksoi se Kosova dhe Serbia, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kanë arritur një numër marrëveshjesh të cilat kërkojnë zbatim të plotë dhe tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.
E para e vendit tutje ka thënë se institucionet e vendit po punojnë në rimëkëmbjen ekonomike dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar migrimin ilegal të qytetarëve të vendit veçanërisht drejt Gjermanisë. Ajo tha se institucionet e vendit po punojnë në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare me krijimin e Gjykatës Speciale dhe e njoftoi ministrin Steinmeier me të gjithë hapat e deritashëm në këtë proces.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe angazhimin e institucioneve në proceset integruese si dhe në fushën e rendit, që hap mundësi më shumë për zhvillim ekonomik. Ai tha se Gjermania po përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e gjithë rajonit në përmbushjen e kritereve dhe të standardeve për integrime evropiane.
Ministri Steinmeier e vlerësoi të rëndësishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Steinmeier gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbushjes së obligimit ndërkombëtar të Kosovës me krijimin e Gjykatës Speciale, e cila tha se kërkon një konsensus të përgjithshëm në shoqëri.
Banorët e Hajvalisë prej ditësh me ndërprerje të rrymës, ank...
BE-ja heq dorë nga ndalimi i motorëve me djegie nga 2035
VV prezanton zotimet, Sallahu: Planprogrami më i mirë i qeve...
Haradinaj: Pati skeptikë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës,...
Angli- Trafik emigrantësh dhe kokaine, shqiptari Ibrahim Sol...
IKKL viziton Tetovën dhe Shkupin, temë dorëzimi i materialev...