Jahjaga: Duhet të na bëjnë bashkë religjionet tona të ndryshme

20:19 | 28 Maj 2015
M. A.

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca globale ndërfetare. Konferencën e hapi kryetarja e vendit Atfifete Jahjaga

Duke iu drejtuar të pranishmëve, presidentja Jahjaga tha se e me një traditë shumë më gjatë të tolerancës, harmonisë dhe të bashkëpunimit ndërfetar, madje edhe në periudhat më të rënda të historisë së saj, Kosova ka ndërtuar bazën e mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë ndër shekuj dhe pikërisht kjo traditë tregon se sa e vështirë është të prishen vlerat që njerëzit bashkërisht i kanë ndërtuar me mund.

Pikërisht kjo traditë e dialogut është një vlerë e shtuar e shoqërisë së Kosovës, që ka kaluar një histori të rëndë, por që gjithherë i është rikthyer shpirtit të tolerancës dhe harmonisë edhe ndërmjet qytetarëve por edhe ndërmjet besimeve.

Tradita e bashkëjetesës fetare, e kultivuar përgjatë historisë së vendit, e gërshetuar edhe në Kushtetutën tonë, si pjesë e rëndësishme e lirive të njeriut, e bën Kosovën një shtet të respektimit të diversitetit dhe të ruajtjes së paqes.

Megjithëkëtë, në një kohë të sfidave globale të sigurisë, kur njëkohësisht po sfidohet edhe bashkëjetesa, madje edhe fetare, na duhet një përgjigje e përbashkët, gjithëpërfshirëse, për ta ruajtur një vlerë të rëndësishme për njerëzit – mirëkuptimin dhe mirëbesimin ndërmjet tyre, thotë kumtesa nga presidenciale.

Në përpjekjen tonë për ta garantuar paqen dhe sigurinë, jo vetëm për ne por për gjithë rajonin, po edhe më gjerë, në këtë kohë të përballjeve me këto sfida të rënda, ne po provojmë që me angazhimin tonë të ndërtojmë një arkitekturë të re të bashkëpunimit dhe të mirëbesimit.

Vlerat e bazuara në tolerancë, harmoni, mirëkuptim e gjithëpërfshirje duhet t’i mbizotërojnë konfrontimet dhe të çelin rrugën e pajtimit mes popujve dhe shteteve, duke garantuar bashkëpunimin dhe hapjen e perspektivës për të ardhmen tonë.

Religjionet tona të ndryshme duhet të na bëjnë bashkë dhe jo të na ndajnë në punën tonë të përditshme në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve tona, në përpjekjet për të ndryshuar të kaluarën e rëndë dhe për të ofruar njerëzit me afër njëri-tjetrit, për ta mundur të keqen që mund të kërcënojë cilindo prej nesh. Feja nuk mund të shpërdoret për asnjë qëllim tjetër dhe ajo nuk mund të ketë mision më të madh sesa promovimin e paqes dhe të dashurisë për njëri- tjetrin, tha ndër të tjera Jahjaga.

Shpërndaje në rrjete sociale