Ja kush dhe si e “helmoi” Ibrin

08:16 | 5 Shtator 2015
M. A.

Helmi” që u hodh në lum, nga një shtëpi në Zubin Potok, ishte Pentane, një substancë kimike, që shfrytëzohej nga kontrabanduesit për dallavere të “përpunimit” të naftës. 100 litra të këtij materiali organik u derdhën në kanalizimin privat, që derdhet në Ibër. Personi që e hodhi atë, nuk kishte për qëllim helmin, por pastrimin e oborrit nga kjo substancë, që ia kishin lënë kontrabanduesit.

Një substancë kimike organike, me emrin Pentan, ishte ajo që trazoi Ibrin dhe gjithë qytetarët e Kosovës që furnizohen me ujë nga ky lum i veriut të Kosovës. 100 litra të komponimit në fjalë,  u hodhën në rrjedhën e lumit, të enjten në mbrëmje.

Në fakt, Pentani nuk u hodh direkt në Ibër, por paraprakisht, u lëshua në kanalizimin e një shtëpie në Zubin Potok, i cili derdhet në lumin e madh.

Substanca në fjalë ndodhej në oborrin e pronarit të shtëpisë një kohë të gjatë.

Burimet e Klanit kanë thënë se ai vendosi ta largojë atë nga prona e tij, duke qenë se nuk i hynte në punë gjë.

Por, Pentani u kishte hyrë në punë kontrabanduesve, në këtë pjesë të Kosovës. Ata e kishin shfrytëzuar oborrin e qytetarit në fjalë, për shitje ilegale të derivateve. Në këtë vend e kishin përdorur edhe Pentanin për të bërë dallavere me naftë.

Televizioni mëson se personi që derdhi substancën në kanalizimin e shtëpisë së tij, nga ku depërtoi më pas edhe në Ibër, nuk kishte në plan të helmojë ujin ose qytetarët. Ai, sic besohet, thjesht po e pastronte oborrin e tij nga mbetjet që ia kishin lënë kontrabanduesit.

Pentani është një komponim organik me formulë C5H12. Sipas “United States Centers for Disease Control and Prevention”, Pentani është një substancë mjaftë e rrezikshme që shkakton narkozën – gjendje e pavetëdijes, irritim në organet e frymëmarrjes, kokëdhembje, vjellje dhe ndjesi djegësimi në gjoks. Kurse ne raste ekstreme mund të shkaktoi edhe vdekjen.

Shpërndaje në rrjete sociale