Ismaili: Rivotimi i Speciales, fundi i Kuvendit

Foto: Arsim Namani

20:08 | 29 Korrik 2015
M. A.

Fisnik Ismaili, Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, i ftuar në Info Magazine, duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se Parlamenti e ka dhënë fjalën e tij dhe se rivotimi i saj nuk është konform rregullave ligjore.

“Nëse përsëri do të bëhet kërkesa për votimin e amendamenteve për Specialen, kjo do të ishte diçka e paligjshme, fund i Kuvendit. Vendimet e tilla si amandamentimi i Kushtetutës janë kompetencë e Kuvendit, dhe jo e Qeverisë”.

Ismaili, i njohur për gjuhën e ashpër që përdor gjatë seancave dhe në aktivitetin e tij në rrjetet sociale, e ka arsyetuar këtë zakon të tijin.

“Gjuha që unë e përdori nuk është e vrazhdë, jam i drejtpërdrejtë. Është gjuhë e përditshmërisë sonë. Nëse kjo është gjuha që përdori çdo ditë, nuk konsideroj se duhet të flas ndryshe në Parlament apo në Facebook”, është shprehur ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ka simpati për një deputet të LDK-së.

“Me Ismet Beqirin nuk jam as i vrazhdë, e as vulgar. Më pëlqen ta thumboj sepse më pëlqejnë reagimet e tij”, tha ai.

Sikurse bashkëpartiaku i tij Glauk Konjufca që kishte thënë për Info Magazine javë më parë, edhe Ismaili ka ritheksuar se VV nuk ka raport të keq me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ambasada e Amerikës nuk është shteti amerikan, por vetëm një përfaqësues. Ne i kemi raportet e mira me Amerikën, por jo me misionin diplomatik të atij vendi”.

Heshtjen e tij të gjatë në Kuvend Ismaili e ka arsyetuar me praninë në rrjetet sociale.

“Aktiviteti im në Facebook ia merr anën aktivitetit në Kuvend – aty jemi vetëm të enjteve, kurse në Facebook jam çdo ditë”, ka thënë ai.

Artisti i shndërruar në deputet ka thënë se veprimtarinë e tij në Kuvend do ta fokusojë në mbrojtje të artistëve të Kosovës dhe të kontribuojë në përmirësim të ambientit kulturor. /Klan Kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale