Industria turke e sektorit hekur-çelik forcon bashkëpunimin me Kosovën

20:37 | 25 Shkurt 2025
E.G

Unioni Turk i Industrisë së Metaleve dhe Çelikut ka organizuar takim biznesi në Prishtinë, ku 48 përfaqësues nga 28 kompani turke u takuan me bizneset e Kosovës dhe vendeve të rajonit për t`i eksploruar mundësitë e bashkëpunimit. Takimet dypalëshe u organizuan me mbështetjen e Odës Ekonomike të Kosovës.

Unioni Turk i Industrisë së Metaleve dhe Çelikut ka organizuar takim biznesi në Prishtinë, ku 48 përfaqësues nga 28 kompani turke u takuan me bizneset e Kosovës dhe vendeve të rajonit për t`i eksploruar mundësitë e bashkëpunimit. Takimet dypalëshe u organizuan me mbështetjen e Odës Ekonomike të Kosovës.

 

Eksportet e metalit dhe të çelikut nga Turqia drejt Kosovës, falë edhe afërsisë gjeografike dhe historike mes dy vendeve, kanë pasur rritje të ndjeshme prej 148% vitin e kaluar, duke arritur në 264 mijë tonë.

“Marrëveshja e tregtisë së lirë, e cila hyri në fuqi në vitin 2019, ka ndihmuar në rritjen e shpejtë të tregtisë sonë. Në vitin 2024, eksporti ynë i hekurit në Kosovë u rrit me 124% krahasuar me vitin e kaluar. E kuptojmë shumë qartë nevojën e Kosovës për hekur. Shifra për të cilën po flasim është pikërisht 264 mijë ton hekur. Kemi ardhur këtu me 28 kompani nga Turqia. Jam i sigurt që sot do të arrihen marrëveshje shumë të mira mes këtyre 28 kompanive dhe biznesmenëve kosovarë”, tha Armagan Ugrlu, sekretari i Përgjithshëm i UTE.

“Dëshiroj të ndaj disa pika pozitive që shoh në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Para së gjithash, përdorimi i euros si monedhë është një faktor i rëndësishëm që siguron stabilitet ekonomik. E dyta janë njerëzit. Sektori privat në Kosovë është shumë dinamik. Njerëzit këtu ndikojnë në dinamizmin ekonomik të Kosovës përmes marrëdhënieve të tyre tregtare”, theksoi Sabri Angili, ambasador i Turqisë në Kosovë

E Kryetar i OEK-ut, Lulzim Rafuna tha se janë mbledhur për të siguruar një bashkëpunim të rëndësishëm në industrinë e metalit.

“Industria e metalit në Kosovë ka nevojë për zhvillim dhe rritje. Marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë po kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e tregtisë së metaleve. Në Kosovë, sektorët kryesorë si makineria, energjia dhe industria e automobilave kanë një kërkesë të madhe për metal dhe çelik. Industria e metalit në Kosovë ka një histori dhe traditë të gjatë, veçanërisht në aspektin e shfrytëzimit të mineraleve”, tha ai.

Për kryetar i OTIK, Skender Krasniqi një tjetër çështje e rëndësishme është të inkurajojmë biznesmenët turq të investojnë në Kosovë dhe të kontribuojnë në prodhimin e metaleve.

“Nëse kompanitë turke investojnë dhe nisin aktivitetin e përpunimit të hekurit dhe metaleve në Kosovë, kjo do të mundësojë eksportin e produkteve metalike drejt Evropës”, tha ai.

Ky aktivitet pritet të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë kompanitë më të njohura turke prodhuese e tregtare.