Imunizimi i fëmijëve, prioritet për shëndetësinë e Kosovës

14:43 | 24 Prill 2015
M. A.

Në fillimin e Javës Botërore të Imunizimit u vlerësua se imunizimi i fëmijëve është një nga storiet më të suksesshme në shëndetësinë kosovare.

Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të UNICEF-it e OBSH-së, theksuan progresin e arritur në Kosovë në sigurimin e të drejtës së fëmijëve për një jetë të shëndetshme përmes imunizimit, por edhe boshllëqet e mbetura për të siguruar që të gjithë fëmijët e Kosovës të mbulohen nga Programi Kombëtar i Imunizimit (PZI).

Deri sa tema e javës të imunizimit për këtë vit është: “Mbyllja e boshllëkut të imunizimit”, e cila synon të ri-fokusojë vëmendjen e publikut mbi rëndësinë e vaksinimit për të gjithë fëmijët.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se imunizimi është forma më e lehtë, më e lirë dhe më efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe mbrojtjen e fëmijëve.“Falë përkushtimit të institucioneve dhe punës së palodhshme të profesionistëve shëndetësor, Kosova ka arritur një shkallë të lartë të imunizimit të fëmijëve me rreth 95 për qind dhe MSh ka arritur të krijojë një stabilitet të qëndrueshëm sa i përket sigurimit të vaksinave për Programin e Zgjeruar të Imunizimit”, tha Rrahmani.

Ndërsa, Shefja  e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, ka thënë se tema e këtij viti për shënimin e Javës Botërore të Imunizimit -mbyllja e hendekut të imunizimit, bën thirrje për organizimin e aktiviteteve për mbulimin me vaksinim edhe të fëmijëve që janë nga kategoritë e pambrojtura apo të margjinalizuara.

“Plani Global i Veprimit 2014 për vaksinim dhe Udhërrëfyesi Universal 2020 për vaksinim, e bëjnë të qartë se nëse në botë nuk bëhet progres i shpejtë, atëherë do të dështohet në mbulimin me vaksinim të gjithë fëmijëve”, deklaroi ajo.

Ajo ka bërë thirrje për fuqizimin e aktiviteteve për mbulim më të mirë me vaksinim të komunitetit rom, shkali e egjiptian, duke theksuar se imunizimi është intervenimi më kost efektiv për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve.

E Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se suksesi i arritur në fushën e imunizimit, që në fakt paraqet skeletin, muret dhe vet shtëpinë e sistemit shëndetësor, tregon se ky është një sukses jo vetëm i shëndetësisë publike , por i krejt sistemit shëndetësor, që përkundër zbrazëtirave që i ka, është funksional dhe në shërbim të qytetarëve.

Nga ana tjetër Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se Kosova ka një shkallë të vaksinimit për mburrje, por që, megjithatë, shtresa të caktuara të popullsisë, në mënyrë të veçantë komunitet rom, ashkali dhe egjiptian, vazhdojnë të krijojnë atë që në këtë fushë është quajtur hendek i vaksinimit.

Në shënimin e kësaj dite, një prezantim rreth studimit Anketa e Grupimit të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) e ka prezantuar Agron Gashi (UNICEF), përmes së cilit është treguar se imunizimi në mesin e fëmijëve kosovarë është i lartë, me përjashtim të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptian, ku konsiderohet se një nga arsyet për mbulimin më të ulët të imunizimit është mungesa e njohurive dhe vetëdijesimit për pasojat shëndetësore të mos-vaksinimit të fëmijëve të këtij komuniteti.

Në mbarë botën, imunizimi kursen 2-3 milionë fëmijë çdo vit nga sëmundjet vdekjeprurëse të fëmijërisë si fruthi, diarreja dhe pneumonia.

Java Botërore e Imunizimit në Kosovë synon që përmes aktiviteteve të organizuara të rris vetëdijesimin për imunizimi, e rrjedhimisht edhe përmirësimin e statusit shëndetësor të fëmijëve në Kosovë që është prioritet kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHP-së, UNICEF-it e OBSH, me qëllimin që të parandalohen parandalohet rishfaqjen e sëmundjeve ngjitëse të cilat shkaktojnë sëmundje, paaftësi dhe vdekje, dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë një mundësi të barabartë për një të ardhme të shëndoshë.

Në këtë ngjarje, për angazhimin dhe suksesin në procesin e vaksinimit janë shpërblyer me mirënjohje profesoresha Isme Humolli dhe punëtorët e vaksinimit Shehide Manaj – Rraci, Besim Berisha dhe Jakup Hoxha.

Shpërndaje në rrjete sociale