IKKL viziton Tetovën dhe Shkupin, temë dorëzimi i materialeve arkivore

20:59 | 16 Dhjetor 2025
E.G

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemit, realizoi sot një vizitë zyrtare në Komunën e Tetovës dhe në Shkup, ku u takua me përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave dhe individëve për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në grumbullimin e materialeve arkivore që dokumentojnë dëbimin e dhunshëm të qytetarëve kosovarë gjatë luftës.

Në Tetovë, Hetemi u prit nga Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, i cili shprehu gatishmërinë për të mbështetur Institutin në këtë mision me rëndësi historike. Gjatë qëndrimit, ekipi i IKKL-së vizitoi gjithashtu Bibliotekën e Tetovës, ku u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit të materialeve arkivore, të cilat do të vihen në dispozicion të Institutit për qëllime dokumentuese dhe hulumtuese, njofton zyra për informim e IKKl-së.

Vizita vazhdoi në Shkup, ku drejtori i IKKL-së u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryqit të Kuq, Sait Saiti, si dhe me Kryetarin e Bashkësisë Islame, Hfz. H. Shaqir ef. Fetahu. Të dyja palët nënshkruan marrëveshje për dorëzimin e materialeve arkivore, duke vlerësuar rëndësinë e dokumentimit të dëbimit dhe vuajtjeve të kosovarëve gjatë luftës.

Gjithashtu, në Tetovë u zhvilluan takime me organizatën El-Hilal dhe individë të njohur, përfshirë prof. Fehari Ramadani dhe z. Ismet Krosii, të cilët dorëzuan materiale të rëndësishme dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në dokumentimin e krimeve të kryera ndaj popullsisë së Kosovës.

Bëhet e ditur se drejtori Hetemi ka falënderuar të gjithë partnerët për mbështetjen dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ky angazhim i përbashkët përbën një kontribut të çmuar në ruajtjen e së vërtetës historike dhe ndërtimin e një arkivi gjithëpërfshirëse për brezat e ardhshëm. U dakordua që bashkëpunimi të vazhdojë përmes projekteve të përbashkëta me karakter shkencor, kulturor dhe dokumentues.