Kuvendi i Kosovës sot po e mban një seancë të veçantë në 20 vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha në Kosovë që është kryer nga regjimi serb.
I mbijetuari i kësaj masakre, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj tregoi në foltore të Kuvendit tmerrin që përjetoi gjatë kryerjes së masakrës në vitin 1999.
Selmanaj përmes një rrëfimi autentik tregoi ne detaje ngjarjen e datës 22 maj të vitit 1999, “Mbi ne, u zbrazën breshëri mitralozash, snajperësh, minahedhësish, e granatash dore”, tha mes tjerash ai.
Edhe pas 20 vitesh nga kjo masakër Selamaaj tha se është e çuditshme se si kjo masakër e tmerrshme kaloi në heshtje nga institucionet e vendit dhe ndërkombëtare.
“Është shumë e çuditshme se si një fakt i tillë, për një Masakër kaq të tmerrshme siç ishte Masakra në Burgun e Dubravës, kaloi në heshtje, duke mos e zgjuar as interesimin e Prishtinës zyrtare as te institucioneve ndërkombëtare . Vetëm rasti Dubrava mjafton që Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë”.
Fjalimi i tij i plotë:
Duke qenë njëri nga të mbijetuarit e kësaj Masakre, fjala ime do të jetë një rrëfim autentik që do të mundohem për aq sa më lejon koha, të sjell fakte dhe dëshmi se si ndodhi Masakra në Burgun e Dubravës, gjithnjë sipas këndëvështrimit dhe përjetimit tim. Sepse secili i mbijetuar e ka rrëfimin e vet.
Zëri që paralajmëronte tragjedinë për të burgosurit shqiptarë, erdhi në mëngjesin e hershëm të 22 majit të vitit 1999.
Pas natës më të gjatë të jetës sime, bashkë me qindra të burgosur të shtrirë nën qiellin e hapur, kur vetëm hëna dhe vdekja na bënin shoqëri, na shfaqet zëri i kriminelit, tashmë të njohur për neve, i Svetlan Martinoviqit.
Ai po jepte urdhrin për t’u rreshtuar afër murit të burgut, gjoja për të na transferuar për në Burgun e Nishit, duke na thënë se këtu më nuk kishte kushte qëndrimi pas bombardimeve të NATO-s.
Unë isha afër disa të burgosurve nga komuna e Deçanit dhe disa të tjerëve të komunës së Gjakovës. Edhe pse ne nuk po besonim se po bëhej fjalë për çfarëdo transferimi në Burgun e Nishit, njëri prej nesh tha: “Çkado që të ndodhë, të mos largohemi nga njëri-tjetri.
Ishte Gazmend Imeri, njëri nga pjesëtarët e hershëm të UÇK-së, i pari që kishte vërejtur përmes një vrime muri lëvizjet e ushtarëve dhe të policëve serb, breshëritë e armëve të të cilëve pak kohë më pas lanë të vrarë e të masakruar qindra të burgosur shqiptarë. Mbi ne, u zbrazën breshëri mitralozash, snajperësh, minahedhësish, e granatash dore.
Aty pranë meje, plumbat lanë të vdekur Gazmend Imerin dhe Ibër Metajn, ndërsa, shumë të tjerë, të qëlluar rëndë, po përballeshin me frymën e fundit që po u ndërpritej nga mizoria më e pamëshirshme ndaj shqiptarëve të burgosur.
Oborri po mbulohej me gjakun e të vrarëve. Disa metra më larg Dervish Sylaj nga Ratishi i Deçanit, po përsëriste aktin e heroizmit. Ndonëse i bërë shporë nga breshëritë e armëve të vrastarëve serbë, ai po hapte gjoksin dhe po klithte me gjithë zërin e tij të mbytur nga plumbat: “Qëlloni kriminelë! Qëlloni! Kurrë më Kosova nën Serbi”.
Te nderuar deputetë
Në burgun e Dubravës deri me sot janë indentifikuar 120 të vrarë dhe qindra të tjerë te plagosur. Vetëm nga komuna prej nga une vijë, Komuna e Decanit kanë rënë në këtë Masakër: Zekë Hasanmetaj, Adem Jasiqi, Gani Lekaj, Hajdar Pepaj, Metë Osmanaj dhe Naim Kurmehaj…
dhe disa te tjere kanë vdekur si pasojë e torturave gjatë qëndrimit në burgje, si: Hysni Dautaj, Afrim Hasaj dhe Zeqë Hasaj i cili ishte arrestuar bashkë me djalin e tij Armendin me 18 maj në Bjeshkën e Belegut në ditën kur u vra dëshmori Shpend Hasaj, dhe tash së fundmi si pasoj e plagëve dhe vuajtjeve nëpër burgjet serbe ka vdekuar edhe Xhemsad Shehu.
Të nderuar deputet!
Kështu, 20 vjet pas, kalimthi u ktheva në mëngjesin e llahtarshëm të 22 majit të vitit 1999 të masakrës së Dubravës. Dhe në këtë rast kujtoj se përmasa e kësaj masakre, edhe sot e pandriçuar, nuk ka ndodhur rastësisht.
Po rikthehem në kronologjinë e kthimit të burgosurve shqiptarë nga burgjet e Serbisë në vendin famëkeq, Dubravë, per te deshmuar skenarin e shtetit të Serbisë.
Tashmë burgjet kudo ishin stërmbushur me të burgosur shqiptarë dhe rikthimi ynë këtu nuk ka si të shpjegohet ndryshe, veçse realizim i skenarit makabër të pushtetit serb, që u realizua egërsisht me 22 maj 1999.
Më 29 dhe 30 prill 1998 bëhet ritransferimi nga Burgu i Dubravës në burgjet serbe i të gjithë të burgosurve politikë me arsyetimin se kjo po bëhej për shkaqe sigurie. Transferimet kryesisht janë bërë në atë kohë në kazamatet e Nishit dhe të Mitrovicës së Sremit.
Më 12 gusht 1998 nga Burgu i Pejës së bashku me qindra të burgosur na transferuan në burgjet e Serbisë. Stacionimi im bashkë me disa të burgosur nga grupi shumë i madh, ishte Burgu i Nishit.
Fillimi i bombardimeve të caqeve serbe fillon edhe ringjalljen e shpresave jo vetëm për të burgosurit, por edhe për lirinë e vendit. Bota demokratike për herë të parë po vihej në mbrojtje të një populli dhe të një lufte të drejtë.
Dhe pikërisht në këtë kohë rifillojnë sërish transferimet e të burgosurve që tashmë ishin shndërruar në pengje lufte.
Më 26 prill 1999, 45 të dënuar politikë nga Burgu i Mitrovicës së Sremit transferohen në Burgun e Nishit. Ato ditë në këtë burg unë dhe qindra të tjerë po përjetonim torturat më çnjerëzore që njeh historia e njerëzimit. Kam pas fatin me i përjetu torturat nëpër burgjet politike edhe në vitet 1981, 1983 dhe 1992, por këto të fundit ishin të pa imagjinueshme për mendjen e njeriut.
Në mbrëmjen e 26 prillit në burgun e Nishit dhuna nga kati i dytë ku gjendeshim ne, po bartej në katin e parë te grupi i Ukshin Hotit, Nait Hasanit dhe i të burgosurve të tjerë të njohur politikë.
Më lehtë ishim ndjerë kur dhuna ushtrohej direkt në katin tonë se sa kur dëgjonim britmat e kriminelëve serbë që i torturonin mizorishtë 45 të ardhurit nga Burgu i Mitrovicës së Sremit. Torturat e katit të parë nuk pushuan 3 ditë rresht.
Më 29 prill të gjithë të burgosurit politikë të kateve 1 dhe 2 na transferojn me 3 autobusë në drejtim të panjohur. Gjatë gjithë rrugës shoqëroheshim para e pas nga forca të mëdha serbe, ndërsa nga ajri aeroplanët e NATO-s vëzhgonin këtë rrugëtim tonin të panjohur.
Të lidhur dy nga dy për karrige autobusi, ne bënim këtë rrugëtim, cakun dhe skenarin e të cilit nuk e dinim.
Çfarë koincidence! Me një parë pranga dhe në një karrige autobusi isha i prangosur me ish-nxënësin tim, të riun Lavdërim Tetaj. Ne nuk po flisnim më për orët mësimore të dikurshme, por për fatin tonë dhe për fatin e vendit.
Me të mbërritur në Orllat papritur nga bombat e aeroplanëve të NATO-s qëllohet njëra nga autoblindat që na shoqëronin në rrugëtimin e paditur. Avionët nga qielli, duke shkatërruar edhe urën, ndajnë në dysh kolonën.
Një autobus me plot të burgosur, në mesin e të cilëve edhe Ukshin Hoti, vazhdon në drejtim të Dubravës, ndërsa dy të tjerët kthehen pas për t’u stacionuar një natë në Burgun e Lipjanit. Të nesërmen në mëngjes të dy autobusët në rrugë alternative, mbërrijmë në Dubravë.
Ishte 30 prilli kur dy autobusët me plot të burgosur tashmë ishin në vendin ku do të ndodhte krimi. Po këtë ditë, në Dubravë sillen edhe të burgosurit nga burgjet e Prizrenit, Lipjanit dhe të Gjilanit.
Ndërsa, më 18 maj 1999 sillen edhe 155 civilë nga Gjakova. Sipas informatave tona, tashmë në këtë burg ishin afër 1 mijë të burgosur shqiptarë. Grumbullimi i gjithë këtyre të burgosurve në një vend, paralajmëronte skenar të tmerrshëm.
Tashmë Serbia e kishte arritur qellimin e grumbullimit të pothuajse të shumicës së të burgosurve në Dubravë ku edhe ndodhi krimi dhe gjenocidi ndaj te burgosurve shqipëtar.
Shumë nga të burgosurit që tashmë ishim bashkuar në Dubravë i kisha njohur më herët që nga viti 1981 e deri tek vitet e 90-ta. Një pjesë prej tyre kamë pasë fatin me i njoftë para dhe pas Dubravës në burgjet e Pejës, Nishit, Leskovcit, Beogradit, Lipjanit dhe Mitrovicës së Sremit.
Dhe me gjithë këtë masakrim, tek të mbijetuarit morali nuk ishte thyer. Në rrethanat e krijuara, pa dashur të përmend emra, organizimi për ndihmë dhe shpëtimin e shokëve, ishte i pashoq. Të burgosurit e mbijetuar bëheshin mjekë për të shpëtuar jetë.
Të nderuar deputetë
Kujtoj se nuk është ndriçuar as për së afërmi përmasa e këtij gjenocidi. Kriminelët që vranë e masakruan të burgosurit shqiptarë, kanë emër dhe mbiemër e ata janë:
Drejtori i burgut Aleksander Kovaçeviq, komandanti i burgut Miki Vidiq, mbikqyrësi Branko Komatina, milici Gërka Igor. Mandej gardianët Aca, Mitri, Mance, Pegja, etj. Si dhe të burgosurit ordinerë serbë: Sfetlan Martinoviq nga Vraka e Shkodrës, vrasës i familjes Cacaj nga Deçani, Boban Bashçeviqi nga Nikshiqi, Ilia Mishkoviqi nga Çaçaku, etj etj.
Të gjithë këta kriminelë shëtitin të lirë në Beograd e vende të tjera në Serbi, ndoshta edhe gjitheandej Europes.
Të nderuar deputetë,
Masakra në Burgu e Dubraves , ishte kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë. Ne vitin 2006 , lënda e Masakrës së Dubravës, kinse per “thjeshtësim procesi” u hoq fare nga aktakuza e Tribunalit të Hagës kundër ish zyrtarëve të lartë të Serbisë, Millan Millutinoviq, Nebojsha Pavkoviq dhe Sreten Llukiq, të akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Çuditërisht, me 15 tetor 2010 , edhe Prokuroria serbe për krime lufte në Beograd, pranoi se masakra mbi të Burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës është kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë.
Bazuar në dokumentet zyrtare, Prokuroria serbe thotë se masakra është bërë me urdhër të ministrit të atëhershem serb të drejtesisë .
Dragolub Jankoviq, dhe zëvendës-kryeministrit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
Është shumë e çuditshme se si një fakt i tillë, për një Masakër kaq të tmerrshme siç ishte Masakra në Burgun e Dubravës, kaloi në heshtje, duke mos e zgjuar as interesimin e Prishtinës zyrtare as te institucioneve ndërkombëtare .
Vetëm rasti Dubrava mjafton që Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Masakra në Burgun e Dubravës paraqet në rradhë të parë krim kundër njerëzimit.
Të nderuar deputet!
Krejt në fund ndoshta tingëllon ironike , por më shumë është revoltë dhe zhgënjim ajo që tash po e them në fund të fjalës sime.
Kriminelët serb që ushtruan gjenocid mbi ne ose duhët të nxirren para drejtesisë ose bashkësia ndërkombëtare le ti shpallë heronjë , sepse gjithnjë sipas Serbisë ata kanë vrarë terrorristë shqiptarë.
Meqense Kosova ka themeluar Gjykatë Speciale vetëm për ushtarët e UÇK-së për krime të pretenduara , por jo për kriminelët serb që bënë krim e gjenocid,,,
Atëherë nuk është çudi e as e pa pritur që ne të mbijetuarit e Masakrës në Burgun e Dubravës të akuzohem për krime e jo ata që na vranë, kriminelët e pandëshkuar tash e 20-të vjetë, e që kanë emër e mbiemër.
Komunat veriore me shumicë serbe tërhiqen nga Asociacioni i ...
Prishtina ndez sonte dritat e fundvitit
Heqja e 50% të masave të BE-së ndaj Kosovës vlerësohet si ha...
Djali i Thaçit falënderon Ramën për vizitën në Hagë: Ju na d...
Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërhyrjen në çmimet e k...
Vdes çetniku serb Slavko Aleksiq, simbol i rrethimit famëkeq...