I kërkohet Vuçiqit t’i shpallë zgjedhjet në veri!

09:01 | 10 Dhjetor 2018
V. S.

Politikanë serbë në veri, duke përfshirë edhe kryetarët e dorëhequr të komunave veriore, i kanë kërkuar Beogradit t’i organizojë zgjedhjet në komunat veriore, duke siguruar se serbët do t’i bojkotojnë zgjedhjet që do t’i shpallë presidenti Hashim Thaçi, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Serbët e komunave veriore të Kosovës do t’i bojkotojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prishtinës, pas dorëheqjes se kryetarëve të katër komunave, nëse ato do t’i shpallë presidenti Hashim Thaçi.

Politikanë serbë të veriut, duke përfshirë edhe kryetarët e dorëhequr të komunave veriore, i kanë kërkuar Beogradit, përkatësisht presidentit Aleksandar Vuçiq, që t’i organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore, duke siguruar njëkohësisht se janë shuar institucionet e Prishtinës në komunat veriore.

Më i zëshmi në këtë kërkesë është kryetari i Zubin Potokut Stevan Vulloviq, i cili ka deklaruar se ndihet keq që për 5 vjet ka qenë kryetar i Komunës së Zubin Potokut me sistemin kosovar. Ai ka siguruar serbët e Kosovës se ka shuar të gjitha institucionet e Prishtinës në këtë Komunë, si dhe ka kërkuar që Beogradi t’i shpallë zgjedhjet në katër komunat veriore.

“I kam shuar të gjitha institucionet e Prishtinës në Zubin Potok. Ndihem i fyer që për 5 vjet kam udhëhequr një komunë sipas sistemit kosovar. Tani do të organizojmë zgjedhjet tona (të Serbisë) në veri”, ka thënë Vulloviq, përcjellin mediet lokale serbe në veri (TV Most, RKP), vëllai i të cilit, Serxhan Vulloviq, është drejtor menaxhues i Ujmanit (Gazivoda)./Zëri/