I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë kishte të kaluar kriminale – ishte akuzuar për dhunë në familje

15:48 | 6 Nëntor 2025
E.K

Dy vëllezërit Naim Morina dhe Driton Morina nga fshati Gollubovc i komunës së Malishevës dyshohet se janë vrarë sot nga dhëndri i familjes, Astrit Isufi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së viktimave, ndërsa i dyshuari është ende në arrati.

I dyshuari është nga një fshat i komunës së Drenasit dhe është person me të kaluar kriminale.

Ai ishte i njohur për organet e rendit dhe ndaj tij më herët ishte ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për mediat se ndaj Astrit Isufit më 6 prill të këtij viti ishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila më pas i ishte caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit i është caktuar nga gjykata kompetente”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndër të tjera, Prokuroria pohon se Isufi akuzohet për dy veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

“Po ashtu, me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale ‘Dhunë në familje’, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘Kanosje’, sipas nenit 181 të KPRK-së”, kanë njoftuar nga Prokuroria.

Pas krimit, Isufi thuhet është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia e Kosovës, përfshirë njësitë speciale dhe njësinë K9, ka nisur kërkimet për kapjen e tij./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale