Hyseni tregon se çfarë ndodhi sot në veri të Kosovës

18:37 | 2 Dhjetor 2016
M. A.

Mediet elektronike serbe kanë raportuar gjatë ditës së sotme se eskorta e kryeministrit të Republikës, Isa Mustafa dhe disa ministrave të tjerë të Qeverisë janë bllokuar në veri të Kosovës nga disa banorë serb.

Mirëpo, këto informacione i ka demantuar i pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Në një prononcim për portalin “Indeksonline” ai ka deklaruar se nuk janë bllokuar nga askush.

Hyseni tha se së bashku me Mustafën dhe ministrin e FSK-së, Haki Demolli, morën pjesë në përurimin e urës së ndërtuar nga NATO-ja, që lidhë komunën e Zveçanit me Leposaviqin.

“Absolutisht s’jemi bllokuar nga askush. Ne kemi mbërri në vendin ku është dashur të shkojmë dhe e kemi inauguruar urën që e lidh Zubin Potokun me Zveçanin. Nuk ka pas ndonjë provokim nga serbët”, ka thënë ai.

Megjithatë, Hyseni thotë pjesë e këtij inaugurimi nuk ishin dy kryetarët e dy komunave përkatëse. “Kryetarët e komunave të veriut nuk kanë marrë pjesë në ceremoni, është çështje dhe problem i tyre që s’kanë qenë aty, nuk ka pas asnjë lloj provokimi”, është shprehur ai.

Ndryshe, drejtori i të ashtuquajturës, Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka ironizuar me, siç ka thënë ai, bllokadën që serbët e veriut i kanë bërë eskortës së kryeministrit  Isa Mustafa.

“Kryeministrin krahinor Isa Mustafa e ka “kontrabanduar” NATO përmes një rruge malore në veri të Mitrovicës, të cilën e shfrytëzojnë emigrantët, pasi atje atë nuk e do populli serb dhe këtë gjë e kanë treguar më së miri nëpërmjet bllokadës që i kanë bërë”, ka thënë ai.

“Ai kaloi përmes fshatrave të banuara me shqiptarë me synimin që të destabilizojë situatën, të krijojë pasiguri dhe të nxit reagime të dhunshme të qytetarëve tonë në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Drejtori i Zyre së Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit.

Shpërndaje në rrjete sociale