Hoti ia liston “skandalet” Qeverisë Kurti

11:48 | 14 Shtator 2023
E.K

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka listuar disa nga çështjet që janë prodhuar gjatë mandatit të kësaj Qeverie, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se në 23 vitet e fundit të qeverisjes nuk janë prodhuar aq shumë lajme të këqija për vendin, ku shumica prej tyre kanë qenë të menaxhuara keq nga Qeveria.

“Unë besoj që kurr në 23 vitet të qeverisjes nuk janë prodhuar kaq lajme të këqija për vendin shumica prej tyre nga qeveria ose të menaxhuara keq nga Qeveria”, ka thënë fillimisht ai.

Më tej ai ka listuar disa nga “skandalet”e Qeverisë që janë prodhuar gjatë këtij mandati.

“Trazirat në veri, mënyra se si janë menaxhuar kanë çuar në situatën ku jemi tani. Përleshjet në kuvend, kanë zënë vend në mediat ndërkombëtare. Mbyllja e mediave, tendenca e pushtetit për ta mbyllur median, vetëm në procedurë gjyqësore mund të mbyllet një media por asnjëherë me vendime administrative të kësaj Qeverie. Sanksionet nga Bashkimi Evropian, jemi vendi i parë nga viti 1999 ku Bashkimi Evropian vendos sanksione. Ligjet anti-kushtetuese, asnjëherë në historinë e shkurtër si shtet i pavarur nuk ka pas aq shumë ligje antikushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Aferat korruptive, e keni bërë normale ambasadorin Berisha me të gjitha ato afera korruptive. Ndërhyrjet në drejtësi dy herë tendenca për të marrë pushtetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Votimi i buxhetit të komunave edhe me të hyrat vetanake edhe me problemin e tatimit në pronë. Vit komplet i humbur për investimet në Kosovë dhe gjithandej”, tha Hoti./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale