Hoti: Çmimi i naftës është rritur 40%, Qeveria po dështon të mbrojë qytetarët

12:40 | 3 Prill 2026
E.K

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend, duke thënë se nuk po ndërmerr masa të mjaftueshme për përballimin e rritjes së çmimeve të naftës.

Sipas tij, çmimet e derivateve janë rritur rreth 40% që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës dhe të bizneseve.

Hoti theksoi se masat aktuale të Qeverisë janë të pamjaftueshme, duke përmendur se përcaktimi i marzhës së fitimit për kompanitë e naftës nuk e mbron konsumatorin, pasi rritja e çmimeve bartet plotësisht te qytetarët.

“Çmimet e derivateve janë rritur me 40% krahasuar me datën 28 shkurt, kur ka filluar lufta në Ukrainë. Dhe natyrisht, menjëherë pas kësaj, kostot e prodhimit dhe të operimit të bizneseve kanë filluar të barten tek çmimet e konsumit edhe tek çmimet e produkteve të ndërmjetme. Tani natyrisht, për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar që efekti zinxhir është bukur i shpejtë deri tek konsumatori i fundit dhe në mbarë botën. Kështu, pa asnjë dyshim, ne presim dhe janë analiza të bazuara që kjo krizë do të rezultojë me çmimet më të larta, të cilat do të stabilizohen në nivele më të larta, edhe natyrisht me rritje ekonomike më të ulët. Si rezultat, të gjitha ekonomitë po i bëjnë përgatitjet e duhura me masat më emergjente që duhet të ndërmerren në situata të tilla, veçanërisht sa i përket ruajtjes së fuqisë blerëse të konsumatorit dhe uljen ose menaxhimin e kostos së bizneseve.”.