Heshtja e çuditshme e Jahjagës dhe Mustafës

15:59 | 15 Korrik 2015
M. A.

Pse Jahjaga dhe Mustafa s’reaguan për humbjen e jetës së qytetarëve të tyre në Kazakistan?

Katër qytetarë shqiptarë, shtetas të Kosovës, kanë humbur jetën në vendin e punës në Astana të Kazakistanit, të cilët ishin duke punuar për kompaninë “Mabetex”. Tre prej tyre humbën jetën më 13 korrik, njëri pas lëndimeve të rënda që mori ndërroi jetë më 14 korrik.

Familjarët e të ndjerëve dhe kompaninë “Mabetex”, pronar i së cilës është politikani Behgjet Pacolli, nga udhëheqësit e shtetit i ka ngushëlluar vetëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai, në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin e tij personal, u ka shprehur ngushëllime familjeve të punëtorëve që humbën jetën, të afërmve të tyre dhe udhëheqësve të kësaj kompanie.

“Kjo tragjedi na preku thellë, sepse ndodhi larg vendit tonë, duke prekur punëtorët të cilët me përkushtim u angazhuan për mirëqenien e familjeve të veta. Në këto momente të rënda për familjet e prekura nga kjo tragjedi, më të dashurve të tyre Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta, ndërsa të lënduarve shërim sa më të shpejtë”, është thënë në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Veseli.

Por deri më sot, dy ditë pas kësaj tragjedie, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa ende nuk kanë ngushëlluar familjet e këtyre punëtorëve që humbën jetën në vendin e punës, larg familjes, për të siguruar një mirëqenie më të mirë familjare.

Njohësi i proceseve politike në vend, Nexhmedin Spahiu, duke e komentuar mosreagimin e presidentes Jahjaga dhe kryeministrit Mustafa për këtë tragjedi, ka thënë se ata nuk kanë ndjesi për qytetarët. Sipas tij, heshtja e tyre nuk është aspak e çuditshme sepse liderëve shtetërorë nuk u shkon ndërmend të paktën t’i ngushëllojnë familjarët e viktimave nëse dikush nuk ua sjell ndërmend këtë. “Nuk është aspak e çuditshme heshtja e liderëve shtetërorë për shkak se autoritetet tona nuk kanë ndjesi për qytetarët dhe për vlerat. Kështu që, në momentin që dikush nuk ua sjell ndërmend atyre, as që u shkon mendja ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Spahiu për “Epokën e re”.

Shpërndaje në rrjete sociale