Haziri: Takimet me përfaqësuesit e Kosovës Lindore janë të rregullta

15:50 | 9 Korrik 2015
M. A.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune kryetarin e Këshillit Kombëtar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, njëherit edhe kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Jenuz Musliu, me të cilin kanë biseduar në kuadër të bashkëpunimit të rregullt, për kushtet e jetës që i kanë shqiptarët në Kosovën Lindore, për arsimin, shëndetësinë, sigurinë, punësimin, integrimin dhe vendimmarrjen në procese të ndryshme dhe me interes por komunitetin shqiptar atje.

Me këtë rast Haziri, ka thënë se takimet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës Lindore, do të jenë të rregullta dhe me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetës në përgjithësi shqiptarët atje, duke dhënë mbështetje në të gjitha proceset për përmirësimin e gjendjes në atë pjesë.

“I kam ofruar mbështetje të plotë për të ndihmuar zyrën në Komunën e Gjilanit në zgjidhjen e rasteve të ndryshme që vijnë aty, kërkesave që janë për implementimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës lidhur me gjendjen e shqiptarëve nga ajo pjesë e të cilët jetojnë në Kosovë. Edukimi dhe arsimi në përgjithësi, janë qenia kryesore e kësaj rezolute, që fëmijët shqiptarë të mësojnë atje sipas bazës së njëjtë me shqiptarët në regjion. Kurrikula e Kosovës është e standardizuar me standardet e BE-së dhe nuk ka gjuhë urrejtjeje, por është ndër kurrikulat më të mira në rajon”, tha kryetari Haziri.

Ai ka dhënë mbështetjen dhe angazhimin e tij konkret për gjendjen e shqiptarëve nga lugina në Kosovë dhe për gjendjen e tyre karshi politikës së shtetit serb në Kosovën Lindore.

“Ne do të takohemi në periudha të rregullta kohore edhe me kryetarët e Komunave, për të dhënë një mbështetje dhe për të ngritur zërin në institucionet e Kosovës lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, por edhe për të ngritur zërin ndaj politikës së Beogradit, ndaj shqiptarëve të këtyre komunave dhe qytetarëve shqiptarë, që të gjitha këto të zgjidhen përmes bisedimeve në mënyrë që njerëzit t’i kthehen jetës normale, punës, e në veçanti kur gjatë verës priten ardhjet e bashkatdhetarëve tanë në shtypit e tyre”, tha kryetari Haziri.

“Kosova Lindor, nuk mund të jetë pjesë shpërbërëse apo e larguar, e Kosovës së vitit 1974, duhet ta shohim të gjithë, në thjerrëzën e një territori dhe të një populli kompakt i cili do ta zgjedh problemin e kufijve, në kohën kur Serbia do ta pranon Pavarësinë e Kosovës”, tha ndër të tjerash kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Kurse nga ana e tij kryetari Musliu, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për angazhimin e përhershëm në shërbim të interesit të shqiptarëve të Kosovës Lindore.
“Falënderojmë kryetarin Haziri për angazhimin i tij i përhershëm, që nga dorëzimi i rezolutës për Kosovën Lindore në Kuvendin e Kosovës sa ishte deputet, por edhe për këtë periudhë sa është kryetar Komune. Ne kemi pasur fatin që të kemi takime të shumta mbështetëse dhe këshilluese. Së fundmi kemi edhe hapjen e zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që është një urë lidhëse shumë e fuqishme për shqiptarët e zhvendosur nga ajo pjesë”, tha Musliu duke përmendur sistemin e shkollimit që është shumë larg asaj që duhet ta kenë fëmijët shqiptarë.

Ai ka bërë të ditur se ende literatura në gjuhën shqipe është me shumë gabime në nivelin fillor, kurse në sektorin e mesëm të arsimit mungon tërësisht literatura.

“Problemi me literaturë në gjuhën shqipe është një interes i shtetit serb, ku niveli fillor ka literaturë me gabime të mëdha gjuhësore, kurse niveli i mesëm i shkollimit nuk ka fare literaturë në gjuhën shqipe. Interesi i shtetit serb është ky, angazhimi edhe më tutje i spastrimit të shqiptarëve. Atje po bëhet pastrimi i listave të Gjendjes Civile dhe shtetësisë së shqiptarëve. Janë larguar pa asnjë kriter nga listat e Gjendjes Civile banorët shqiptarë”, tha ai duke kërkuar që të lajmërohen të gjithë ata që kanë probleme të kësaj natyre, edhe pse deri më tani ky numër është pak mbi 200 raste por neve na duhet një evidencë e saktë, në mënyrë që zyrtarisht t’u drejtohen ambasadave të akredituara në Serbi, por edhe Bashkimit Evropian, që kjo të ndryshohet përmes bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shpërndaje në rrjete sociale