Haxhiu: Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiq, por edhe vet Serbia

20:12 | 8 Qershor 2021

Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit serb, Ratko Mlladiq.

Ajo, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se për krimet e kryera me urdhër të Mlladiqit nuk është fajtor veç ai, por edhe vet shteti serb, shkruan arbresh.info.

“Lajmi për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mladiq është sigurisht lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare. Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë.

Krimet e kryera në këto dy vende, sipas Haxhiut, nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb.

“Në këtë drejtim është e domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre”, thotë ajo./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara