Haxhiu i PDK-së: Projektligji për TRUST-in ka kaluar në Komision, Muja po bënë deklarata për ta trazuar opinionin

10:58 | 8 Dhjetor 2022

Të mërkurën pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, u tha se ka kaluar Projektligji për rregullimin e skemave pensionale, e që lejon qytetarët për tërheqjen e mjeteve financiare nga TRUST.

Mirëpo, pasi u raportua në media se ky projektligj kaloi, kryetari i komisionit Armend Muja tha se ky projektligj nuk ka kaluar, pasi me rregulloren e re duhet të jenë pesë vota ndërsa ishin vetëm katër vota.

Mirëpo, ndryshe po thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili është edhe iniciues i këtij projektligji.

Haxhiu për arbresh.info thotë se deputetët në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere votuan pro këtij projektligji.

“Kështu u votua dje PRO Projektligji për Trustin, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit konstatojnë se Projektligji ‘KALON’ në votim në Komision” tha Haxhiu për arbresh.info.

Atë që e tha në fund të mbledhjes kryetari i këtij komisioni që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, për Haxhiun shërben vetëm për konsum politik dhe për ta trazuar opinionin publik dhe qytetarët.

Sipas tij, kjo deklaratë e Mujës nuk ka efekt juridik.

“Pas vendimmarrjes në Komision deklaratat individuale janë për konsum politik për trazim të opinionit publik dhe të qytetarëve. Nuk kane efekt juridik.” ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, të mërkurën ka miratuar kalimin e propozimit për tërheqjen e 30 për qind të Trustit.

Nga nëntë vota, katër ishin pro, tre kundër dhe dy abstenime.Nga Lëvizja Vetëvendosje abstenuan Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.

Pas këtij votimi, projektligji ka marrë dritën e gjelbër për procedim në Kuvendin e Kosovës./arbresh.info/ Pleurat Salihu/

LEXO EDHE

Kalon në Komision propozimi për Trustin, shkon në Kuvend – Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale